E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria miraton vendimin per trajtimin titull ekzekutiv te fatures se energjise

Qeveria ka miratuar ne mbledhjen e radhës ndryshime në ligjin "Për trajtimin si titull ekzekutiv të faturës së konsumit të energjisë elektrike".
Në bazë të p/ligjit të hartuar nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës është vendosur që fatura tatimore e konsumit të energjisë elektrike të trajtohet si titull ekzekutiv.

"Duke e konsideruar tashmë faturën e konsumit të energjisë elektrike si titull ekzekutiv, si një ndihmesë për operatorin e shpërndarjes së energjisë elektrike si dhe nga eksperienca e fituar nga zbatimi i ligjit për faturat e energjisë elektrike të emëtuara nga shoqëria e shpërndarjes së energjisë elektrike, trajtuar si titull ekzekutiv, ka treguar se ajo ka qenë e suksesshme dhe ka rregulluar marrëdhëniet financiare të palëve kontraktuese", thuhet në relacionin shpjegues të METE-s.

Meqenëse tashmë në tregun e energjisë elektrike kanë hyrë dhe operatorë të tjerë me kapital privat apo shtetëror, METE propozon që ky titull ekzekutiv të veprojë për të gjithë këta operatorë.

Për këtë qëllim, METE ka propozuar që në ligjin ekzistues të bëhet një ndryshim, i cili parashikon që të konsiderohen si tituj ekzekutiv jo vetëm faturat tatimore për furnizimin me energji elektrike të emëtuara nga CEZ Shpërndarje, por edhe ato të emëtuara nga operatorët e tjerë për shitjen, blerjen, dhe kryerjen e shërbimit të transmetimit të energjisë elektrike.

Me këtë ndryshim, sqaron METE unifikohet trajtimi si titull ekzekutiv i të gjitha faturave për blerjet, shitjet dhe shërbimet që kryhen nga të gjithë operatorët në tregun e energjisë elektrike si: KESH sh.a., CEZ Shpërndarje, OST dhe operatorëve të tjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›