Qeveria, mospërfillëse ndaj komisioneve parlamentare

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, ka refuzuar katër herë që të raportojë në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike. Ky rast, por edhe të tjerë të ngjashëm, kanë bërë që monitoruesi i punës së Kuvendit nga Instituti Demokratik i Kosovës, Driton Selmanaj, të nxjerrë vlerësimin për qasje të papërgjegjshme, madje dhe refuzuese që ekzekutivi i vendit ka ndaj pushtetit legjislativ, shkruan Koha Ditore.
Ai ka thënë të shtunën se kontrolli parlamentar ndaj qeverisë, ende nuk po arrin të realizohet sipas kompetencave kushtetuese dhe ligjore qe ka pushteti legjislativ ndaj ekzekutivit. Por, përveç mospërgjigjes së ministrave të caktuar ftesave të Komisionit, Selmanaj ka përmendur edhe defektin e palës tjetër - mosthirrjen e ministrave nga ana e vetë komisioneve.
“Janë vetëm disa komisione parlamentare që kanë ftuar disa herë ministrat e caktuar për raportim. Megjithatë, pjesa më e madhe e komisioneve parlamentare nuk e shfrytëzojnë këtë mekanizëm dhe kompetencë të thirrjes në përgjegjësi të ministrave për veprimet apo mosveprimet e tyre”, ka thënë ai. “Duhet konstatuar se edhe në rastet kur ministrat ftohen, ata jo rrallë herë ndodh që t’i injorojnë ftesat e komisioneve, me arsyetimet se agjendat e tyre janë aq të ngjeshura sa nuk po mund të gjejnë kohë për raportim”.