E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria la shije të keqe në Zvicër

Nga Virtyt Gacaferri

Lucernë, 11 shtator 2012

Mbase tifozët kuqezi mund të dënohen nga UEFA për sharjet që ia kanë bërë Valon Behramit, i cili ka një tatuazh me flamur të Shqipërisë, një me të Kosovës dhe një me të Zvicrës.

Ata e shanë këtë futbollist, i cili më gjithë shokët e tij në kombëtaren zvicerane, është bërë model së pari për shqiptarët që jetojnë në Zvicër e pastaj edhe për tërë shqiptarët e tjerë, të cilët mund të ndjehen mirë dhe të krenohen me lojën e tyre.

Pas pjesës së parë në lojën, të cilën Shqipëria e humbi 2-0, në sallën për gazetarë në stadiumin e Lucernit, gazetarët shqiptarë, të cilët jetojnë në Zvicër, u kthyen të hidhëruar.

Nuk është e hijshme të ofendohen njerëzit. Nuk është kjo kulturë e tifozerisë, sidomos ajo shqiptare. Prindërit e futbollistëve janë aty, nuk është gjest në rregull. Të gjithë shqiptarët këtu e quajnë Zvicrën atdheu ynë i dytë. Ky shtet na ka ndihmuar shumë në situatat më të vështira, thotë Dashnim Hebibi, gazetar nga Cyrihu.

Ne përmes tyre (futbollistëve) tregojmë se jemi më shumë se punëtorë të ndërtimit. Shyqyr që i kemi. Nuk është mirë as para zviceranëve, shton ai.

Janë këto komente, të cilat vijnë edhe nga shumë shqiptarë të Zvicrës, pasi publiku shqiptar në tribuna e quajti Valon Behramin – futbollist i cili luan edhe në Serinë A italiane – Valon maxhupi, sharje që mund të kualifikohet raciste dhe nënçmuese.

Shqiptarë të tjerë në Zvicër do ndjehen mirë ose edhe neutralë për golin e Shaqirit. Një ditë pas golit ata do të shkojnë në punë ballëhapur e mund tu thonë kolegëve të tyre se shqiptarët kanë bërë shumë për Zvicrën, sikurse dhe Zvicra ka bërë për ta.

Para ndeshjes, Latif Shkodra, shqiptaro- zviceran, i cili e mbante një fanellë me shqiponjë dhe kryq të Zvicrës, thoshte se për të cilido të fitonte ishte krejt e njëjtë.

Mirë që i luajnë për Zvicrën, këtu i kanë marrë krahët. Ata janë rritë këtu, Zvicra i ka ngritë kaq lart, thotë Latifi.

Ai shtoi se kur ka lajme të mira për shqiptarët, ai ndjehet mirë për vete dhe shqiptarët tjerë që janë këtu ne Zvicër.

Për ekipin zviceran këto telashe të identitetit dhe armiqësisë së tifozëve nuk janë të reja. Në ekipin e tyre ata kanë turq, kroatë dhe italianë.

Kur kanë shkuar në Turqi në kualifikimet e kaluara ata i ka pritur një baner mirëserdhët në ferr, tregon zëdhënësi i ekipit Marvo Von Ah.

Kjo lojë ka zgjuar shumë interesim, kemi pasur shumë kërkesa për intervista, tregon Marco.

Në një intervistë më të hershme, trajneri i Zvicrës kishte vlerësuar keq pasi kishte thënë se tifozët shqiptarë do ti duartrokasin Shaqirit. Kjo nuk ndodhi, për fat të keq.

Loja mbaroi me pak shije të keqe. Tregimi vazhdon. Zvicra do të jetë mysafire në Shqipëri, atje ku emocionet mund të eksplodojnë. Mbetet të shihet nëse shqiptarët do të jenë tifozë siç u ka hije. Sigurisht se varet edhe nga federatat se sa do të jenë në gjendje të shtyjnë këtë kërkesë tek tifozët kuqezi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›