Vilanova: Dua tifozeri si ajo e Bajernit
Trajneri i Barcelonës shpreson te kualifikimi. Ne dhe gjermanët? Ska vend për krahasime
Kohë të vështira në Katalonjë, ku Barcelona po kalon një nga periudhat më të errëta të viteve të fundit, edhe pse titulli është pothuajse një çështje e mbyllur për ekipin e drejtuar nga Tito Vilanova. Është pikërisht drejtuesi i stolit të kësaj skuadre ai që merr përsipër të gjitha kritikat dhe përgjegjësitë, duke dalë përpara gazetarëve për herë të parë që pas largimit në Nju Jork, ku u kurua për disa muaj. Dhe ashtu siç pritej, në nisjen e konferencës për shtyp, drejtuesi i skuadrës së rekordeve i siguroi të gjithë se nuk do të heqë dorë nga aventura e nisur rreth një vit më parë, ku i ra mbi shpatulla trashëgimia e ish-shefit të tij, Pep Guardiola.
Ndihem shumë mirë pas kurimit dhe periudhës së vështirë. Çdo ditë që kalon ndihem edhe më në formë. Duhet të jem i sinqertë dhe të them se kam pasur probleme komunikimi me skuadrën për shkak të distancës së madhe, sepse gjithçka do të ishte ndryshe nëse do të kurohesha në Londër, Paris apo Barcelonë. Asgjë nuk mund të zëvendësohet me praninë në fushë bashkë me skuadrën, edhe pse kam dhënë shpeshherë këshilla për lojtarët. Drejtuesit dëshirojnë që të vazhdoj edhe sezonin e ardhshëm dhe unë kam forcën dhe dëshirën për ta bërë një gjë të tillë. Nuk kam menduar asnjëherë të dorëzohem, sepse unë nuk e shikoj këtë detyrë si një peshë apo presion ndaj meje. Zhordi Roura dhe stafi kanë bërë një punë të madhe.
Në vijim, trajneri katalanas katapultohet direkt në ndeshjen e kthimit kundër Bajernit të Mynihut, e cila vazhdon të mbetet një plagë e hapur në kampin blaugrana.
Nuk do të isha i besueshëm nëse do të thoja që kualifikimi është i sigurt por ne jemi Barcelona dhe kemi për detyrë ti tregojmë botës se jemi në lartësinë e duhur për tu ndeshur edhe me një skuadër si Bajerni i Mynihut. Tifozët tanë duhet të besojnë dhe të krijojnë të njëjtën atmosferë siç vepruan në takimin e parë mbështetësit e klubit gjerman. Rezultati i parë është dukshëm në disfavorin tonë, por kjo nuk ia ul vlerën skuadrës, sepse me këtë grup mund të luajnë shumë pak lojtarë në botë dhe në këtë aspekt, djemtë e mi nuk janë të detyruar të tregojnë asgjë.
Dominimi gjerman në Europë është i dukshëm, por ai beson se kjo varet shumë edhe nga karakteristikat e kampionatit gjerman.
Niveli i Bajernit dhe Borusias nuk mund të krahasohet me Realin dhe Barcelonën, pasi ata zhvillojnë një kampionat të ndryshëm. Nuk mund të bëhen krahasime, sepse ndikojnë detaje të ndryshme në të dyja tablotë, gjithsesi jam i sigurt se nëse Bajerni do të luante në kampionatin tonë, nuk do të ishte në këtë nivel.
Konferenca për shtyp vijoi me komentet rreth së ardhmes së Abidal e Victor Valdes.
Francezi po kalon një situatë të veçantë sepse po grumbullon energjitë për të siguruar formën optimale dhe unë mendoj se është një lojtar shumë i vlefshëm për Barcelonën. Ndërsa për Victor Valdes mund të them se ai ka qenë shumë i qartë në qëndrimin e tij, duke mos dashur të rinovojë.
Objektivi më i prekshëm për Barcelonën është titulli kampion, të cilin Vilanova kërkon ta hipotekojë sa më shpejt. Sipas trajnerit katalanas nuk ka rëndësi nëse këtë skuadra e bën në transfertën e Bilbaos apo kundër Real Betis.
Vilanova: Dua tifozeri si ajo e Bajernit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email