Qeveria në ikje jep me qira edhe parkun e policisë
Qeveria në ikje vazhdon të transferojë në seri pronat publike tek privatët në ditët e saj të fundit në detyrë.
Top Channel raporton se listës së gjatë të pasurive publike, që u janë kaluar privatëve, i është shtuar edhe një tjetër objekt, ai i parkut të automjeteve në Ministrinë e Brendshme.
Bëhet fjalë për një sipërfaqe 550 metër katrorë, e cila është dhënë me qira për 20 vjet për ambiente shërbimi. Vendimi është marrë muajin e kaluar, ndërkaq në zonë privatët kanë nisur të ndërtojnë.
Në pjesën fundore të parkut ka përfunduar së ndërtuari një objekt, ndërkohë qe vijohet me ritme të shpejta ndërtimi i një tjetri. Punonjës të këtij parku deklaruan, në kushtet e anonimatit, se brenda në park janë prerë disa pemë ndërkohë gjatë gjithë natës një ekskavator ka kryer gërmime.
Zyrtarisht Ministria e Ekonomisë nuk ka dhënë asnjë informacion për transferimin e kësaj prone dhe as emrin e subjektit që e ka marrë atë, edhe pse në rrugë informale mësohet se ai është i afërm i zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Brendshme.