Doda: Kemi rezerva për energjinë elektrike vetëm për dy muaj
Sipas ish-ministrit të Industrisë, Viktor Doda, në basenet kryesore të HEC-eve të vendit ka rezerva ujore që mjaftojnë sa për dy ose dy muaj e gjysmë prodhim të energjisë elektrike. Sipas tij, buxheti, siguria e personit dhe pronës dhe energjia janë tre prioritetet e qeverisë së re.
Mendoj se sigurimi i energjisë mbetet gjithnjë një ndër prioritetet kryesore të ekzekutivit të ri, krahas rregullimit të situatës së financave publike dhe përmirësimit drastik të situatës së rendit publik. Borxhet e vendit janë në nivele shumë të larta, ndërkohë që siguria e personit dhe e pronës është në nivele skandaloze, si asnjëherë tjetër pas vitit 1997. Por, sipas llogaritjeve të mia dhe të specialistëve të tjerë të sektorit të energjetikës, rezervat ujore që sigurojnë prodhimin në vazhdim të energjisë elektrike mund të mbarojnë në dy ose dy muaj e gjysmë pas ditës së sotme. Kjo, në rast se nuk bie shi, por parashikimet në fakt janë për një vjeshtë të thatë. Liqeni i Fierzës ndodhet në kuotën e 283 metrave në nivelin e detit, por prurjet janë jashtëzakonisht të ulëta dhe prodhimi vazhdon njësoj. Kjo flet për një krizë eminente të energjetikës, është shprehur ai.
Ai shprehet për Shqiptarja.com se nuk është e vërtetë që humbjet në rrjet janë rreth 50 përqind.
Në vitin 2005, sektori energjetike kishte shumë probleme, por nivelin e humbjeve në rrjet në shpërndarje ne e lamë rreth 30 përqindëshit. Ndërkohë, erdhi CEZ-i, dështoi CEZ-i, shumë mburrje dëgjojmë nga administratorët aktualë shtetërore, por ky nivel humbjesh është rreth 50 për qind. Ku është efikasiteti këtu? Zona të tëra lejohet të mos paguajnë faturat, kjo rrit çmimin për konsumatorët e rregullt. Në strategjinë afatgjatë ne, madje, kishim parashikuar ulje të çmimit të energjisë për konsumatorët duke nisur nga viti 2014. Por, nga 4.5 lekë për kilovat/orë, tani shitet dyfish, pohon ai.
Sipas tij, kostoja e energjisë mund të ulet në rast se ndërpriten vjedhjet dhe kryhen disa investime bazë.