Qeveria në krizë, merr 18 miliardë lekë borxh nga bankat
Qeveria shqiptare po vihet në vështirësi për të mbajtur treguesit e buxhetit brenda kufijve ligjor. Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në tetë muajt e parë të vitit Ministria e Financave ka përdorur të gjithë kufirin vjetor të huamarrjes së brendshme.
Borxhi
Gjatë periudhës janar-gusht, Qeveria ka marrë në tregun e brendshëm nga bankat dhe individët 18.45 miliardë lekë borxh, ose 99.67 për qind të gjithë planit vjetor. Në total kufiri i borxhit të ri që mund të marrë Qeveria përgjatë vitit 2012 është 41.1 miliardë lekë, por pjesa tjetër është huamarrje e jashtme, e përcaktuar me ligj vetëm për financimin e projekteve të huaja kryesisht nga donatorët dhe bankat e zhvillimit.
Menaxhimi i buxhetit
Përmbushja e kufirit ligjor të huamarrjes i imponon qeverisë një menaxhim të shtrënguar të buxhetit për ta mbajtur këtë tregues në kontroll. Masat e para kanë filluar që muajin e kaluar, kur Qeveria miratoi një vendim për disiplinimin e shpenzimeve, që ndalonte një sërë zërash shpenzimesh për administratën që nga trajnimet dhe deri tek shpenzimet për telefona celularë. Por kur kanë mbetur dhe katër muaj deri nga përfundimi i vitit buxhetor, kjo situatë mund të krijojë shqetësime edhe për biznesin pasi ekspertët druhen se nevoja për të mbajtur borxhin e brendshëm brenda kufijve ligjorë mund ta detyrojë Qeverinë të shtyjë pagesat për kompanitë që kryejnë punë publike.
Të ardhurat
Në tetë muajt e parë të vitit plani fillestar i të ardhurave në buxhet është rrëzuar me mbi 12.1 miliardë lekë ose 121 milionë dollarë. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se gjatë periudhës janar-gusht, Qeveria ka mbledhur në buxhet rreth 218.8 miliardë lekë nga 230.9 miliardë që ishte parashikuar. Shifrat tregojnë se ky mosrealizim vjen në pjesën dërrmuese nga të ardhurat tatimore, defiçiti i të cilave për këtë periudhë është 10.8 miliardë lekë. Mosrealizimi i të ardhurave dhe ritmi i lartë i shpenzimeve ka bërë që deficiti buxhetor, të jetë për tetë muajt e parë rreth 165 për qind e planit. Qeveria po e mban pezull rishikimin e buxhetit për shkak të privatizimeve në proces, të cilat mund ta nxjerrin nga kriza.