E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria ngre një grup ndërministror për të evidentuar dhe mbështetur me transparencë familjet me pamundësi reale ekonomike

- Kryeministri Berisha shpreh shqetësimin për indiferencën dhe burokracitë e qeverive lokale në mbështetjen e këtyre individëve dhe familjeve me vështirësi të papërballueshme

Kryeministri Berisha kërkoi sot, në mbledhjen e qeverisë, ngritjen e një Grupi pune Ndërministror, për të përcaktuar saktësisht dhe me transparencë të gjitha familjet me pamundësi reale ekonomike, si dhe për të dalë me propozime konkrete për  ndryshimet e nevojshme të ligjeve dhe vendimeve ekzistuese, për zgjidhjen e situatës së tyre. 

“Ky është një problem shumë i dhimbshëm, ndaj për këtë çështje do të ngrihet një grup pune ndërministror. Ne rimbursojmë miliarda e miliarda lekë, por në radhë të parë duhet t’ua adresojmë rimbursimin e plotë atyre që nuk mund të japin dot asnjë qindarkë. Skema e rimbursimit duhet të nisë në radhë të parë nga ana që janë në pamundësi të plotë ekonomike”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Kryeministri u shpreh se qeveria, në 4 vjet, ka rritur buxhetin social nga 6.3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto që ka qenë më parë, sot është 9.3 për qind. “Kjo është rritja më e madhe, një rritje prej 56 për qind, të cilën e kanë ndier në jetën e tyre të përditshme mbi 800 mijë familje shqiptare, e kanë ndier pensionistët në fshat, pensioni i të cilëve shkon drejt dyfishimit nga data 1 maj i këtij viti, e kanë ndier pensionistët në qytet, pensioni i të cilëve është rritur, sipas kategorive, nga 48 në 70 për qind. E kanë ndier rrogat e ulëta, etj” tha Kryeministri.

Por sërish, theksoi Kryeministri, janë një kategori qytetarësh të cilët përballen me dhimbje të thella të jetës së tyre të përditshme, në një kohë kur vendi në tërësi nuk përballet me dhimbje të tilla, pasi mesatarja e gjendjes së vendit është shumë më ndryshe, të ardhurat, mundësitë dhe potencialet e vendit, janë të tjera.

Duke iu referuar shqetësimeve të ardhura tek ai, nga familje të mbetura në mjerim ekonomik, për shkak të humbjes së kryefamiljarit, për shkak të fatkeqësive të ndryshme, Kryeministri tha se, së pari, pushteti vendor, duhet t’i identifikojë me përparësi këto familje dhe nuk  mund t’i lërë ato në mjerim. “Përse injorohet nëna me 3 fëmijë që i mban ata vetëm me pensionin e bashkëshortit të saj, të cilin nuk e ka më në jetë? Me çfarë do ta përballojë jetën ajo? Ajo robtohet nga mëngjesi deri në darkë vetëm për shkak të pa shpirtësisë së aparatit burokratik, vetëm për shkak të qëndrimit çnjerëzor të autoriteteve vendore kudo që ato ndodhen dhe të cilësdo forcë politike që i përkasin, ndaj këtyre njerëzve”, tha Kryeministri

Kryeministri u ndal dhe ne skemën e ndihmës sociale që jep qeveria, ku  janë mbi 100 apo 150 milionë dollarë. Por, këto familje përjashtohen nga kjo skemë. “Çdo qeveri punon me skemë, por krahas kësaj skeme, janë edhe disa individë apo familje, të cilët, skema, për specifikat që ata kanë, i le në mjerim”, tha Kryeministri.

Qeveria qendrore, theksoi Kryeministri, nuk mundet në asnjë rrethanë që të shenjojë secilën prej këtyre familje, por ata kanë qeveritë vendore dhe, jo vetëm ato, por edhe prefekturat, qarqet. “Nuk ka nevojë t’i themi këtij individi se do të të ndihmojmë edhe një muaj apo edhe një tjetër, por ne i kemi të gjitha mundësitë ta mbështesim atë për problemet më bazale të jetës së tij. Por, kryetari i komunës dhe kryetari i bashkisë, si dhe prefekti që “fle” mbi këtë problem, shton në listën  e personave në nevojë ekonomike edhe njerëz që mund të kenë të ardhura më shumë se sa edhe ata vet”, vijoi Kryeministri.

Kryeministri u ndal edhe në çështjen e pallateve rezervë në qytetet kryesore të vendit. “Po t’u referohemi qyteteve, të paktën atyre kryesore, nëse do shkonit të interesoheshit se sa apartamente rezervë kanë për të ofruar qeverisjet vendore në raste fatkeqësish, kur dëmtohet një shtëpi, apo ajo prishet sepse e zë plani i rrugës, do konstatoni se nuk ka të tilla. Pra, të paktën bashkitë e mëdha, nëse do të kishin vullnetin dhe shpirtmirësinë, do të blinin 5 a 10 apartamente rezervë, jo në qendër të qytetit, por diku në periferi. Nuk mund të them se këto apartamente mund  t’i blejë bashkia e Selenicës, bashkia e Fushë Arrësit apo e Krumës, por bashkitë e mëdha i kanë të gjitha mundësitë. Shqipëria mund të jetë i vetmi vend që  nuk ka asnjë strehë për  t’u ofruar njerëzve në fatkeqësi”, tha Kryeministri.

Për këto çështje, vijoi Kryeministri, do të ngrihet një grup pune ndërministror, që do të përbëhet nga përfaqësues të ministrisë së Punëve dhe Çështjeve Sociale, të ministrisë së Arsimit, të ministrisë së Shëndetësisë, ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Financave. Për sa i përket rolit të ministrisë së Arsimit në këtë çështje, Kryeministri tha se kjo ka të bëjë me bursat për fëmijët e këtyre familjeve në nevojë që duan të vazhdojnë universitetin. “Vitin e kaluar ne i dyfishuam këto bursa, por ne mund t’i trefishojmë ato. Është  e pa pranueshme që, në këtë vend, për shkak të mospasjes së mundësisë ekonomike të mbetet njeri pa vazhduar  të gjitha nivelet e shkollave. Ne duhet t’i krijojmë mundësitë atij që nuk ka mundësi”, theksoi Kryeministri.

Shqipëria, tha Kryeministri Berisha, nuk është ajo e viteve 91-92, as e viteve 80, por për hir të së vërtetës, nuk është as e ajo e viteve 2000, por është një Shqipëri shumë herë më lart.


02/02/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›