Fjala e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e Këshillit të Ministrave
“Para se të nisim me rendin e ditës, kam dy çështje shumë të rëndësishme për të paraqitur para jush.
Në tre buxhete, ndërkohë që këtë vit bëhet buxheti i katërt, pra në 4 vjet, si asnjë qeveri tjetër, ne kemi rritur buxhetin social, nëse do ta emërtonim në këtë mënyrë pjesën sociale të buxhetit. Ajo ka qenë 6.3 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa sot është 9.3 për qind. Kjo është rritja më e madhe, një rritje prej 56 për qind, një rritje të cilën e kanë ndier në jetën e tyre të përditshme mbi 800 mijë familje shqiptare, e kanë ndier pensionistët në fshat, pensioni i të cilëve shkon drejt dyfishimit nga data 1 maj i këtij viti, e kanë ndier pensionistët në qytet, pensioni i të cilëve është rritur, sipas kategorive, nga 48 në 70 për qind. E kanë ndier rrogat e ulëta.
Dua të theksoj këtu se rritja e rrogës mesatare në Shqipëri, në 1 maj, arrin 68 për qind, por theksoj se rrogat më të larta janë rritur vetëm me 4 për qind këtë vit, gjë e cila ka ngushtuar në mënyrë të ndjeshme diferencën katastrofike që trashëguam midis rrogave të mesme dhe rrogave të larta, pra nga një diferencë 10-11 herë, e kemi sjellë në 5 apo 6 herë. Është rritur ndjeshëm ndihma ekonomike, është rritur ndjeshëm përkrahja për paaftësinë dhe invaliditetet.
Por sërish, janë një kategori qytetarësh të cilët përballen me dhimbje të thella të jetës së tyre të përditshme, në një kohë kur vendi në tërësi nuk përballet me dhimbje të thella, në një kohë kur vendi në tërësi është shumë larg tyre. Mesatarja e gjendjes së vendit është krejt tjetër, të ardhurat e vendit janë krejt të tjera, mundësitë dhe potencialet e vendit janë krejt të tjera.
Përse injorohet nëna me 3 fëmijë që i mban ata vetëm me pensionin e bashkëshortit të saj, të cilin nuk e ka më në jetë?. Me çfarë do ta përballojë jetën ajo? Ajo robtohet nga mëngjesi deri në darkë vetëm për shkak të pashpirtësisë së aparatit burokratik, vetëm për shkak të qëndrimit çnjerëzor të autoriteteve vendore, kudo që ato ndodhen dhe të cilësdo forcë politike që i përkasin, ndaj këtyre njerëzve. Në një letër të saj, një nënë nga Pogradeci, më drejtohet: me çfarë do t’i paguaj paratë për universitetin e vajzës sime, pasi kam vetëm këto të ardhura, pra pensionin e bashkëshortit. Kjo ndodh në një kohë kur ne japim bursa për studentët dhe mund të japim edhe më shumë. Me se do ta paguaj unë detyrimin që kam ndaj këtij apo atij institucioni, apo këtë faturë ilaçesh, në një kohë kur unë humba familjarin që gjeneronte të ardhurat mbi bazën e të cilave sigurohej jeta e gjithë familjes”, vazhdon kjo grua.
Pra, ndodh një gjë shumë e pa pranueshme. Këto familje dënohen me mjerim, forma më e rëndë e dënimit njerëzor. Po i referohemi vetëm ndihmës sociale; mbi 100 apo 150 milionë dollarë ne i japim për këtë ndihmë në forma të ndryshme. A ka njerëz të cilët nuk mund t’i marrin ilaçet sipas të gjithë dokumenteve të këtij shteti? Absolutisht që ka, sepse të ardhurat e këtyre njerëzve në mjerim aq janë. A ka familje e cila duhet të hyjë në borxh për të paguar kuotën që i kërkohet për të futur fëmijën në universitet? Sigurisht që ka. Kjo ndodh në një kohë kur ne kemi rritur më shumë se çdo vend tjetër faturën sociale, pra e kemi kaluar nga rreth 6 në 9 për qind të PBB-së, në një kohë kur ne kemi mobilizuar qindra e qindra milionë euro në këtë aspekt.
Sigurisht, çdo qeveri punon me skemë, pa diskutim, por krahas kësaj skeme, janë edhe disa individë apo familje, të cilët, skema, për specifikat që ata kanë, i le në mjerim.
Nuk po ndalem këtu në abuzimin real që bëhet. Por, gjithsesi, dua të theksoj se qeveria qendrore, nuk mundet në asnjë rrethanë që të shenjojë secilën prej këtyre familjeve, por ata nuk janë pa qeveri, pasi kanë qeveritë vendore. Aty janë jo vetëm qeveritë lokale, por janë edhe prefekturat, qarqet. Sepse, edhe nëse ndodh që del një kryetar bashkie apo komune shpirtkazëm që nuk ndalet dhe i thotë një qytetari të tillë se po të ndihmoj edhe këtë muaj apo dhe këtë tjetrin, nuk ka nevojë t’i themi këtij individi këtë gjë, por ne i kemi të gjitha mundësitë ta mbulojmë për problemet më bazale të jetës. Por, kryetari i komunës dhe kryetari i bashkisë, si dhe prefekti që “fle” mbi këtë problem, shton në listën e personave në nevojë ekonomike edhe njerëz që mund të kenë të ardhura më shumë se sa edhe ai vet. Të qenit i pa punë është një dhimbje e vërtetë. Por kam konstatuar jo pak raste, të cilat i kam ndjekur me vëmendje dhe është vënë re që vërtetë këta persona nuk kanë qenë në punë shteti, por kanë pasur biznese të tyre dhe ndoshta kanë qenë dhe në asistencë sociale.
Në mënyrë të përsëritur, kam theksuar dhe theksoj se Shqipëria është tjetër nga ajo që mendohet. Ajo është shumë më e fuqishme dhe ka mundësi shumë herë më të mëdha. Ndonjëherë krijohet përshtypja se ka mbetur psikologjia e skamjes dhe mospasjes si një justifikimi i pamerituar. Po t’u referohemi qyteteve, të paktën atyre kryesore, nëse do shkonit të interesoheshit se sa apartamente rezervë kanë për të ofruar në raste fatkeqësish, kur dëmtohet një shtëpi, apo ajo prishet sepse e zë plani i rrugës, do shikoni që nuk ka të tilla. Pra, të paktën bashkitë e mëdha, nëse do të kishin vullnetin dhe shpirtmirësinë, do të blinin 5 a 10 apartamente rezervë, jo në qendër të qytetit, por diku në periferi. Nuk mund të them se këto apartamente mund t’i blejë bashkia e Selenicës, bashkia e Fushë Arrësit apo e Krumës, jo, sepse qeveria duhet të ndërhyjë në këto raste. Por bashkitë e mëdha i kanë të gjitha mundësitë për këtë. Shqipëria mund të jetë i vetmi vend që nuk ka asnjë strehë për t’u ofruar njerëzve në fatkeqësi, njerëz të cilët për një arsye apo për një tjetër kanë humbur realisht mundësinë për t’iu përgjigjur detyrimit. Një tjetër zonjë më shkruante se e kishte burrin në burg, por fëmija nuk mund të paguajë për këtë fakt. Ai do të paguante nëse ne, këtij personi në burg i krijojmë mundësinë të punojë dhe të krijojë të ardhura për familjen, por derisa ne e mbajmë thjesht në burg, sigurisht që ne nuk mund t’ia lemë atij fëmijët në super mjerim.
Ky është një problem shumë i dhimbshëm, ndaj për këtë çështje do të ngrihet një grup pune ndërministror, që do të përbëhet nga përfaqësues të ministrisë së Punëve dhe Çështjeve Sociale, të ministrisë së Arsimit, të ministrisë së Shëndetësisë, ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Financave. Për sa i përket përfshirjes së ministrisë së Arsimit, kjo për faktin sepse kemi të bëjmë me bursat. Vitin e kaluar ne i dyfishuam ato, por ne mund t’i trefishojmë ato. Është e papranueshme që, në këtë vend, për shkak të mospasjes së mundësisë ekonomike, të mbetet njeri pa vazhduar të gjitha nivelet e shkollave. Ne duhet t’i krijojmë mundësitë atij që nuk ka mundësi.
Ne duhet të përcaktojmë qartësisht dhe në mënyrën më transparente individët dhe familjet që janë në pamundësi reale ekonomike dhe që duhet të ndjejnë mbështetjen tonë. Askush nuk mund të mbetet pa kujdesin standard shëndetësor, në rastin kur ai nuk ka mundësi të përballet me këtë problem të tij.
Ne rimbursojmë miliarda e miliarda lekë, por në radhë të parë ne duhet t’ua adresojmë rimbursimin e plotë atyre që nuk mund të japin dot asnjë qindarkë. Ne do të vazhdojmë të rimbursojmë, por kjo skemë duhet të nisë në radhë të parë nga ata që janë në pamundësi të plotë.
Ministria e Brendshme duhet të jetë në këtë grup ndërministror. Qeveritë vendore sigurisht që janë qeveri të zgjedhura dhe kjo është e vërtetë, por nëse ka një gjë që duhet të kontrollohet nga të nderuarit zotërinj prefektë, përfaqësuesit e Këshillit të Ministrave atje ku ushtrojnë veprimtarinë, është pikërisht mbështetja që u jepet atyre që janë më në nevojë dhe sigurisht edhe çështja e sigurisë në zonat përkatëse ku ata janë. Ndaj, duhet të përcaktojmë forma kontrolli të përshtatshme.
Ministria e Financave ka një vend shumë të rëndësishëm në këtë grup pune. Duhet të diversifikojmë alokimet e ndihmës dhe, në rast nevojë, në mënyrë të padiskutueshme ne e rrisim atë. Por u garantoj se të gjitha statistikat faktojnë se varfëria është në rënie dhe kjo përputhem me të gjitha studimet e bëra. Kjo nuk do të thotë se nuk ka familje në mjerim ekstrem, sepse ka të tilla, ka familje që kanë detyrime dhe ata nuk kanë asnjë lloj mundësie për t’iu përgjigjur këtyre detyrimeve, për shkak të ngjarjeve të papritura në jetën e tyre.
Ne si qeveri nuk mund të rendisim dot të gjitha, por qeveritë vendore i identifikojnë ata pa asnjë vështirësi. Ndaj, duhet të krijojmë të gjithë mekanizmin ligjor që të targetojmë para së gjithash këto familje. Përcaktimin si objektiv të përgjithshëm ne e bëjmë thjesht, rrisim pensionet, ndihmën sociale, rrogat, etj. Sigurisht shumë të domosdoshme këto rritje dhe ato kanë pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në luftën kundër varfërisë. Por personat me vështirësi ekstreme janë të përjashtuar nga këto, pasi i ka përjashtuar natyra, kanë humbur familjarët, i kanë përjashtuar rrethanat, u kanë rënë kryefamiljarët në burg, etj etj.
Grupi ndërministror duhet të ngrihet me shpejtësi dhe javën që vjen duhet të nisë punën. Ky grup duhet të dalë me propozime konkrete, me të gjitha ndryshimet e nevojshme të ligjeve dhe vendimeve ekzistuese. Shqipëria nuk është ajo e viteve 91-92, as e viteve 80, por për hir të së vërtetës, nuk është as e ajo e viteve 2000. Ajo është një Shqipëri shumë herë më lart.
Grupi i punës duhet të marrë të gjithë ekspertët e nevojshëm dhe duhet të përfshijnë në këtë grup edhe shoqatat, shoqatën e kryetarëve të bashkive dhe komunave, përfaqësues të qarqeve, pasi ata i njohin më mirë problemet dhe duhet të bëhet një rrjetëzim i tërësishëm i kësaj çështjeje.
* * *
Së dyti, ky është viti i prokurimeve elektronike. Zoti ministër i Financave, vihen re disa tendenca në qeveritë vendore, jo të përhapura, por ekzistuese, që të hezitojnë për të proceduar me këtë procedurë elektronike.
Së pari, dua t’ju bëj të qartë qeveritarëve vendor të Shqipërisë se, në mënyrë absolute, nuk do të mund të ketë asnjë lloj prokurimi tjetër përveç atyre elektronike, në Republikën e Shqipërisë, pra vetëm sipas asaj që është e përcaktuar në ligj dhe ky vendim është i pandryshueshëm. Megjithatë, ky vendim nuk është i vlefshëm vetëm për qeveritë vendore, por është i vlefshëm për të gjitha entet kontraktuese, duke nisur nga kryeministria e deri në komunën më të largët të këtij vendi.
Qeveria ka marrë të gjitha masat për të rritur në shkallën më maksimale kapacitetet e sistemit elektronik të prokurimeve. Ndaj, zotërinj ministra, duhet të mblidhni urgjentisht autoritetet dhe entet tuaja përgjegjëse për prokurimet dhe t’i vendosni në punë. Buxheti është totalisht disponibël në këtë drejtim. Nuk do të ketë formë tjetër prokurimesh përveç prokurimeve elektronike.
Zoti ministër i Financave, duhet të monitorosh më shumë rigorozitet këtë proces. Qeveria ju jep të drejtën e rialokimeve dhe të heqjes së fondeve, sepse nuk mund të presim pa shkak. Ky standard është interesi më i mirë publik i Shqipërisë, është standardi i luftës së sigurt kundër korrupsionit. Le të jemi ne vendi i parë që procedon totalisht me prokurim elektronik. Ndaj, ministria e Financave duhet t’i ndjekë hezituesit dhe të plogështit dhe të zbardhë listën, duke argumentuar heqjen e fondeve, psh; fondet u hoqën sepse autoritetet përgjegjëse po “flenë” mbi to. Arsyeja se përse po “flenë” mbi to sigurisht që merret vesh dhe është shumë e thjeshtë, sepse ai që “fle” mbi fonde mendon se do t’i fusë ato në xhepa. Por kjo nuk mund të ndodhë.
* * *
Qeveria do të marrë në shqyrtim vendimin për ngritjen e zonës industriale në Koplik. Ky është një zhvillim shumë i rëndësishme dhe ka një rezonim të madh ngritja e zonave industrial në Shqipëri. Biznesi botëror e ka pritur me shumë interes këtë nismë”.
02/02/2009