E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, paketë e re për nxitjen e rritjes ekonomike

30-05-2012 / Gazeta 55

Në raportin e Shqipërisë me krizën e egër evropiane dhe jo vetëm evropiane rezulton se Shqipëria është ndër më të paktat vende që nuk njohur recesion

“Qeveria po përgatit një paketë të re për nxitjen e rritjes ekonomike”. Kështu u shpreh sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kryeministri Sali Berisha duke garantuar se kjo paketë ka në themel, lehtësimin, mbështetjen dhe nxitjen e biznesit. Berisha theksoi se qeveria do të bëjë gjithçka për të thjeshtuar në mënyrë të ndjeshme barrën e bizneseve në pagesën e tatim-fitimit. “Qeveria po bën gjithçka që barra burokratike të thjeshtohet në shkallën më maksimale. Me këtë projektligj pagesat e detyrimeve të tatim-fitimit nga biznesi zbresin në 5 pagesa, pra zbresin në çdo tre muaj. Kohën prej 125 orësh e redukton në rreth 70%. Në rast se vështrojmë raportin e Shqipërisë me krizën e egër evropiane dhe jo vetëm evropiane rezulton se Shqipëria është ndër më të paktat vende që nuk njohur recesion gjatë këtyre viteve të një krize të shumëfishtë por që tani në Europë është konsoliduar në krizën e borxheve dhe krizën e euros”- u shpreh Berisha.
Gjithashtu kryeministri Berisha ka deklaruar se do të bëhet gjithçka dhe të merret çdo masë ndaj atyre që flenë me sy hapur në detyrë dhe vonojnë përgjigjet ndaj biznesit dhe qytetarëve. “Kriza është dhe do mbetet afatgjatë, Shqipëria ka të gjitha mundësitë, jo vetëm të shmang recesionin, por edhe të garantojë rritje. Modeli ynë ekonomik është një nga modelet më të shkëlqyera. Me lupë duhet të kërkojmë çdo pengesë që i ushtrohet sipërmarrjes së lirë”- shtoi ai.
Kreu i qeverisë ka ironizuar edhe taksën progresiste të paraqitur nga PS-ja duke theksuar se kjo është një praktikë e së shkuarës. “Taksa progresive, nuk do të kthehet më, pasi ajo është arkivuar nga Shqipëria dhe shqiptarët. Me praktikat e të shkuarës nuk mund të ndërtohet e ardhmja” – theksoi shefi i ekzekutivit, Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›