E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria perfundon 7 kapituj per integrimin

19/02/2010 Komiteti Ndërministror i Integrimit shqyrton procesin e përgjigjes së pyetësorit

Qeveria shqiptare dhe institucionet e tjera të pavarura kushtetuese kanë arritur që deri dje t’i japin përgjigje shtatë kapitujve nga 35 të tillë, pjesë e pyetësorit të Komisionit Evropian drejtuar Shqipërisë. Në mbledhjen e djeshme të Komitetit Ndërministror të Integrimit, janë marrë në shqyrtim këta kapituj, çështje që kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë të punëtorëve, prokurimin publik, peshkimin, politikat e transportit, politikat ekonomike dhe monetare, politikat e transportit transeuropian, si dhe doganat. Pas miratimi të kapitujve në mbledhjen e ardhshme të KNI-së, dy janë momentet më të rëndësishme: përkthimi në anglisht dhe kontrolli i përkthimit. Por procesi i përkthimit të këtyre kapitujve do të ecë paralelisht me dhënien e përgjigjeve të kapitujve të tjerë, në mënyrë që të mos ketë vonesa në proces. I vetmi institucion, i cili ka dorëzuar përgjigjet që i janë drejtuar në gjuhën angleze, ka qenë Banka e Shqipërisë, çka përbën një moment pozitiv për të dhe për ecurinë e punës, duke marrë në konsideratë terminologjinë përkatëse. Kryeministri Sali Berisha, i cili drejton këtë Komitet, ka theksuar rëndësinë që me përqendrimin maksimal të punohet për kapitujt e tjerë, që në afatin më të parë të mundshëm ta paraqesim materialin e përfunduar në Komisionin Evropian. “Këta dy muaj punë kanë qenë dy muaj punë intensive, në të cilën nuk besoj të jetë punuar kurrë ndonjëherë mbi një dokument, ashtu siç është punuar në përgjigjet e këtij pyetësori, i cili, e rithem, përbën një lloj provimi për të gjithë ministritë, agjencitë, Qeverinë dhe vendin në tërësi”, tha Berisha. Ai kërkoi përqendrim maksimal në punën e administratës për kapitujt pasardhës, për të bërë të mundur paraqitjen në afatin më të parë të mundshëm të pyetësorit të përfunduar në KE. Gjatë mbledhjes, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, e cila është caktuar të ndjekë nga afër procesin e përgatitjeve të përgjigjeve, ka dhënë detaje teknike për secilin nga shtatë kapitujt e përfunduar tashmë. Bregu tha se në procesin e përgjigjes së pyetjeve janë përfshirë 1200 punonjës të administratës, ku gjithsecili prej tyre ka pasur pyetje dhe përgjigje në ngarkim.

Pyetjet e mbetura

Qeveria shqiptare dhe të gjitha institucionet e tjera të pavarura kushtetuese kanë ende shumë punë për të bërë, në mënyrë që të përfundojnë procesin e përgjigjeve të pyetjeve të Komisionit Evropian. Mbledhja e djeshme e Komiteti Ndërministror të Integrimit mori në shqyrtim vetëm 7 nga 35 kapitujt e këtij dokumenti. Nga 2284 pyetje të përcjella nga KE-ja, deri më tani janë bërë gati rreth 300. Dhënia e përgjigjeve të pyetësorit pritet t’i hapë rrugë shqyrtimit të kërkesës së Qeverisë shqiptare për statusin e vendit kandidat në BE.

Pyetësori

Ambasadori i KE-së në Tiranë, Helmut Lohan, i ka dorëzuar Kryeministrit Sali Berisha pyetësorin më 16 dhjetor të vitit të kaluar. Qeveria shqiptare kërkoi rreth katër muaj kohë për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve të drejtuara nga Brukseli. Rëndësi të veçantë në këtë pyetësor kanë kriteret politike, funksionimi i institucioneve demokratike, sundimi i ligjeve apo shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, respektimi i të drejtave për minoritetet. Gjithashtu, vëmendje i kushtohet edhe problematikës së pronave në Shqipëri. Vetë KE-ja, përmes ekspertëve të saj, do t’i analizojë me kujdes përgjigjet që do të jepen dhe do të përpiqet që të bëjë një vlerësim të ecurisë së procesit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›