E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria po ndryshon historinë e shqiptarëve

Nga Express më 12 shtator 2011 në ora 12:21

Lidhja Demokratike e Kosovës, konkretisht ekipi i ekspertëve të Arsimit, Shkencës dhe të Teknologjisë, në një komunikatë për media ka thënë se Qeveria e PDK-së po tenton që të ndryshoj historinë e popullit shqiptarë.

“Qeveria e PDK-së, e njohur gjerësisht për mungesë transparence, për papërgjegjshmëri e shpërdorime në të gjitha fushat, tani, tinëzisht e për interesa politike, i ka hyrë punës që të ndryshojë politikisht tekstet e historisë së popullit shqiptar”, thuhet në një komunikatë për shtyp të kësaj partia.

Sipas LDK, Qeveria po përpiqet që ta fshehë këtë gjë, por tashmë ajo ka nisur që me veprimet e veta politike të bëj ndryshimin e teksteve shkollore lëndës së historisë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se Qeveria nuk guxon të ndërhyjë në çështje të kësaj natyre, meqë këto nuk janë çështje të politikës së ditës e as çështje të qeverive”.

Ekspertët e LDK-së vlerësojnë se tekstet shkollore të historisë burojnë nga korikulat dhe janë shkruar nga profesionistët dhe sipas tyre vetëm në vendet totalitare qeveria ndërhyn ose përcakton se për çfarë duhet të shkruhet në tekstet shkollore e si duhet të shkruhen ato.

“Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se të gjitha diskutimet për çështje të kësaj natyre, përherë duhet të bëhen në qarqet akademike e intelektuale, sepse vetëm qarqet e tilla janë kompetente për të vlerësuar lëndën dhe gjuhën e teksteve”, thuhet në këtë komunikatë.

“Qeveria duhet të përkrahë këto qarqe në punën e tyre, të ndihmojë konkrektisht, së pari duke u garantuar kushte e liri në punën e tyre, e jo të marrë përsipër të bëjë keq punën që profesionistët e bëjnë mirë. Qeveria e cila e ka shpallur Kosovën Shtet të dijes, duhet ta dijë që shtetin e tillë nuk mund ta udhëheqin njerëzit e paditur”, thonë ekspertët e LDK-së në lidhje me debatin e fundit për ndryshim ose jo të teksteve të historisë nëpër shkollat fillore dhe të mesme.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›