E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria politizoi midhjen, mbretëreshën e Sarandës

Kryebashkiaku i Sarandës Stefan Çipa, gjatë festës së midhjeve, të dielën

Thyhet urdhri i Ministrisë për bllokimin e midhjeve. Rezultatet priten sot.

Kryebashkiaku Çipa: Asnjë qytetar su helmua në festë.

Kryebashkiaku i Sarandës, Stefan Çipa reagoi sërish dje, pas mbylljes së festës së midhjes, duke akuzuar qeverinë se po i bën antireklamë mbretëreshës së liqenit të Butrintit.
Ai udhëhoqi i pari bashkëqytetarët e tij për të konsumuar midhje gjatë festës së fundjavës, duke thyer kështu një urdhër institucional e zyrtar të Ministrisë së Bujqësisë. Nëpërmjet Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, u urdhërua ndalimi i tregtimit të midhjes së Sarandës, për shkak se nga analizat e kryera rezultuan të prekura nga bakteri E.Coli. Duke e konsideruar si të rrezikshme konsumimin e këtij produkti, ministria urdhëroi mostregtimin deri në një urdhër të dytë. Sipas drejtuesve të AKU-së, sot pritet përgjigjja e analizave të tjera, të cilat do të përcaktojnë nëse do të ndryshojë vendimi i bllokimit. Rezultatet paraardhëse treguan përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së midhjes, por sipas autoriteteve do të vazhdojnë analizimet. Megjithëse sot pritet përgjigjja e analizave, midhja vazhdon të konsumohet masivisht. Fakt që e konfirmoi dje dhe kreu i Bashkisë së Sarandës, i cili falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen e tyre në festë. Mundëm të hidhnim hapin e vendosjes së gurit të parë të një tradite, që do të vazhdojë të jetë e përvitshme, u shpreh gjatë një konference për shtyp kryebashkiaku. Sipas tij, gjatë dy ditëve të festës është konsumuar nga të gjithë qytetarët midhja, ndërsa nuk raportohet asnjë person që të ketë shfaqur probleme shëndetësore pas kësaj. Për të shtuar karakteristikat që duhet ta dallojnë Sarandën, përveç mikpritjes turistike, na erdhi në ndihmë produkti i rrallë i liqenit të Butrintit, ajo që njihet si mbretëresha e këtij liqeni, midhja e ushqyeshme, midhja e shëndetshme, midhja e traditës 45-vjeçare të kultivimit, që e ka vetëm Saranda. Njohja e këtij informacioni nga e kaluara jonë e afërt dhe e sotmja, e kultivimit dhe përpunimit të midhjes, na ndihmoi për ardhur në

Midhja e zezë, e identifikuar nga analizat me prani bakteri E. Coli

mendimin se nuk mund të kishte simbol më të mirë se ky, që do ti shkonte një feste të Sarandës sonë. Dhe ia arritëm të hedhim hapin e parë, të vëmë gurin e parë të një tradite që do të vazhdojë të jetë e përvitshme. Me kënaqësi, vërej se ky gur i parë është si gurët e skalitur, me të cilët Saranda ka traditë ti zbukurojë shkallaret dhe ndërtimet e veta, tha kreu i Bashkisë. Ai ka komentuar edhe mungesën e përfaqësuesve nga Tirana në këtë festë, veçanërisht nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit. Sipas Çipës, megjithëse ishin ftuar të gjithë qeveritarët, madje edhe të gjitha OJQ-të, nuk erdhën. Fatkeqësisht, qeveria shqiptare u mundua të na pengonte që të zhvillonim festën tonë. Fillimisht nxori paradokse, duke i bërë antireklamë midhjes, duke politizuar edhe midhjen si njerëzit, pastaj pavarësisht se analizat dolën siç është e vërteta, negative, pra të konsumueshme, na u dha OK në fund për të konsumuar midhje të konservuara. Dhe me një dashakeqësi politike nuk mori pjesë asnjë përfaqësues i qeverisë, madje edhe një pjesë e vogël e qeverisë lokale në maxhorancë, që varen nga qeveria, nuk asistuan te festa e midhjes, tha më tej kryebashkiaku. Ai përmendi mungesën e tyre edhe te 50-vjetori i Estradës Profesioniste të Sarandës, apo edhe te ngritja simbolike e flamurit kombëtar dhe hapja e siparit të festimeve me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë. Është për të shprehur keqardhje për ata që u munduan të prishnin festën, dhe kjo është një vijë politike që ndodh në vijimësi. Me siguri, ju garantoj që qeveria ka filluar që dje ndoshta, apo në këto dy ditë në vazhdim do të dalë të prononcohet që midhja është e konsumueshme u shpreh më tej Çipa.

Festa e midhjes, dy ditë në Sarandë
Fundjavën që lamë pas, në qytetin e Sarandës u organizua festa e midhjes. Kryebashkiaku Çipa deklaroi se kjo festë do të kthehet në traditë, ndërsa mohoi gjatë dy ditëve të festës se midhja ishte me bakter. Ai e demonstroi i pari këtë fakt duke konsumuar një pjatë të përgatitur me midhje në tendat e vendosura nga Bashkia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›