E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harrohet traktori, çmimi i naftës rikthen parmendat

Bujq në fshatin Lajthizë të Korçës, duke punuar me parmendë

Bujqit e Korçës: E punojmë tokën me kafshë se na kërkojnë shumë para.

Çmimi i naftës çdo ditë e më tepër është duke shënuar rritje, gjë që ka sjellë impakt negativ në të gjitha sferat, dhe kësaj nuk i ka shpëtuar as bujqësia.
Rritja e çmimit të naftës ka penalizuar edhe fshatarët, duke i detyruar ata të rikthehen vite pas në kohë. Tashmë në të gjithë qarkun e Korçës bujqit i janë rikthyer punës me kafshë, pasi sipas tyre kostoja e punimit të tokës me traktor është e papërballueshme për ekonominë e tyre. Në vend të mjeteve motorike, të gjitha proceset për kultivimin e kulturave, të ndryshme bujqësore janë kryer me krahë ose me parmendë duke shënuar gati një rotacion. Dikur vendin e krahut të punës e zunë mjetet motorike, ndërsa tani ato nuk përdoren, pasi çmimi i naftës është rritur së tepërmi. Në pamundësi për të përballuar koston, këta fermerë janë duke sfiduar kohën dhe veten e tyre teksa përballen me format primitive të punimit të tokës.
Kurba në rritje e çmimit të karburanteve i ka bërë këta bujq ta shohin përdorimin e traktorit si një luks që nuk mund tia lejojnë vetes pasi, përveç vështirësive dhe punës së madhe që u duhet për marrjen e prodhimeve, ata nuk kanë një treg të garantuar, ndaj ky do të ishte një shpenzim i tepërt për të ardhurat e pakta që sigurojnë nga toka. Përveç të tjerash, puna me kafshë ul rendimentin dhe sasinë e prodhimeve që këta bujq do të kenë në fund të sezonit, ndërsa për ta nuk ka asnjë garanci nëse do të mund të kenë fitim apo humbje nga kjo punë e lodhshme.
Spase Nasto, nga fshati Lajthizë, tregon për gazetën Panorama se tashmë traktorët do të mbeten në shtëpitë e tyre si relike të vjetra, pasi askush më nuk kërkon të punojë tokën me ta.
Pse nuk përdorni traktor për të punuar tokën?
Me se ta përdor? Tani një dynym tokë lërohet 12 mijë deri në 20 mijë lekë,(të vjetër) e as unë dhe askush tjetër nuk mund ta përballojë. Ka dy vjet që kemi vështirësi, por çmimi aktual e bëri të pamundur për ne.
Pse është kaq shtrenjtë ky proces pune?

Fermeri Spase Nasto

Sepse u rrit nafta. Fillimisht nuk ka qenë kosto kaq e lartë, edhe ne e përballonim, përveçse na kursente shumë mund e lodhje. Paguanim pak dhe shmangnim gjithë këtë punë, merrnim edhe më tepër prodhime, sepse toka punohej më mirë. Tani duhet të rrimë në fushë nga mëngjesi në darkë dhe të prodhojmë sa për veten tonë.
Sa paguanit para 2-3 vitesh?
Po varet, megjithatë mesatarisht sa gjysmën e kësaj që duhet të paguajmë sot. Kush na merrte 7 mijë deri në 8 mijë për dynym, dhe maksimalja ishte 10 mijë lekë, kurse tani as nuk e shkojmë ndërmend të pyesim sepse e dimë që u dyfishua çmimi.
Ju vetë keni kërkuar traktor?
Nuk do të më besoni, por as kam marrë guximin të pyes. Kam marrë kafshët dhe kam gjithë këtë kohë që punoj. Asnjë bujk nuk mund tia lejojë vetes çmime të tilla. Edhe kur e diskutojmë me njëri-tjetrin në fshat themi që traktorët do mbeten kot si hekurishte, sepse askush nuk do ti dojë më për ti përdorur.

KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›