E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria rrit pagën minimale në 19 mijë lekë, shkak rreziku në skemën e sigurimeve

Paga minimale në administratë dhe në kompanitë private do të jetë 19 mijë lekë. Rritja e pagës minimale do të japë efekte pozitive në skemën e sigurimeve shoqërore duke shtuar të ardhurat, nga ana tjetër biznesit i shtohet një tjetër kosto në kohën që është

përfshirë nga kriza. Qeveria rrit pagën minimale për shtetasit shqiptar, duke e çuar atë në 19 mijë lekë. Këshilli i Ministrave vendosi në mbledhjen e djeshme në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 111, të ligjit nr. 7961, datë 12.7.1996, Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar, dhe të neneve 2 e 5, të ligjit nr. 8487, datë 13.5.1999, Për kompetencat për caktimin e pagave të punës, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Këshilli i Ministrave, vendosi që paga bazë minimale, mujore, për punonjësit, në shkallë vendi, që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj, të jetë 19 000 (nëntëmbëdhjetë mijë) lekë. Sipas këtij vendimi, paga bazë minimale, mujore, jepet për 174 orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës. Në nenin katër të tij, specifikohet se shtesat me karakter të përhershëm jepen mbi pagën bazë. Me miratimin e këtij vendimi, vendimi nr.522, datë 13.5.2009, i Këshillit të Ministrave, Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi, shfuqizohet. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren zyrtare dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 korrik 2010. Ndërkaq, para disa ditësh, qeveria ka rritur pagën minimale për efekt të kontributeve për pension. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, paga minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve, shoqërore e shëndetësore, nga 1 korriku do të jetë jo më pak se 16820 lekë, ndërsa paga maksimale mujore do të jetë 84100. Aktualisht paga minimale për efekt kontributesh ishte 16120 lekë, pra 700 lekë më e vogël, ndërsa maksimalja 80600, pra 3500 lekë më e vogël. Në bazë të pagës minimale, mbahen kontributet e sigurimeve shoqërore. Si rrjedhojë e ndryshimit të bazës së pagës, mbi të cilën mbahen kontributet, ndryshon edhe sasia e parave që duhet të mbahen nga paga për të marrë pension. Kështu deri më sot, minimumi i sigurimeve që mbaheshin nga paga ishte 4497 lekë në muaj. Me rritjen e pagës minimale, ky detyrim shkon në 4693 lekë në muaj. Pra rritet me 196 lekë në muaj. Kuptohet që edhe paga zvogëlohet me po kaq para. Kjo, për pagën minimale. E njëjta logjikë përdoret edhe për pagën maksimale.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›