Ligj i ri për tatimin e të ardhurave, 10 për qind tatim për paratë që teprojnë nga rroga
Shqiptarët duhet të deklarojnë në fund të vitit të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet zë për zë. Në bazë të këtyre të dhënave, qeveria do të llogarisë sa lekë i kanë tepruar nga rroga çdo personi dhe mbi këtë vlerë do të aplikojë një taksë.
Taksa është 10 për qind mbi shumën dhe do të aplikohet në 1 janar të vitit 2010. Vendimi është marrë dje në Mbledhjen e Këshillit të Ministrave ku mësohet se nëse diferenca mes të ardhurave dhe shpenzimeve është pozitive, deklaruesi, brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së deklaratës vjetore të të ardhurave, bën pagesën e tatimit. Nëse diferenca është negative, administrata tatimore ia kthen deklaruesit shumën e taksave të paguara më tepër. Vendimi për taksën e re si dhe rritjen e masës së gjobave për një sërë shkeljesh është marrë pak orë pasi ministri i Financave deklaroi se nuk do të ketë asnjë rritje taksash. Në mënyrë të tërthortë edhe rritja e vlerës së gjobave për shkeljet rrugore dhe firmat ndërtuese do të ndikojë negativisht në xhepat e shqiptarëve.
Tatimi
Në vendimin e Këshillimit të Ministrave është përcaktuar edhe procedura për llogaritjen e taksës më të re. Në vendim mësohet se diferenca midis totalit të të ardhurave bruto dhe shpenzimeve të zbritshme përbën të ardhurën e tatueshme, e cila tatohet me normën 10 për qind. Shumës së këtij tatimi i zbriten tatimet e paguara, gjatë periudhës tatimore. Vendimi parashikon edhe mënyrën e deklarimit dhe të pagimit të taksës. Kështu nëse diferenca është pozitive, deklaruesi, brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së deklaratës vjetore të të ardhurave, bën pagesën e tatimit. Nëse diferenca është negative, administrata tatimore ia kthen deklaruesit shumën e taksave të paguara më tepër ose, me pëlqim të deklaruesit, kjo shumë mund të përllogaritet si pagesë e kryer për vitin tatimor vijues. Sipas projektligjit individët jorezidentë, si dhe deklaruesit që kanë të ardhura vjetore prej të paktën 8 qind mijë lekësh, nuk përfitojnë nga e drejta e llogaritjes së shpenzimeve të zbritshme.
Deklarata e të ardhurave
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave tatimpaguesit individë apo të vetëpunësuarit, rezidentë në Shqipëri, si dhe jorezidentët, që realizojnë të ardhura në territorin e vendit tonë, dorëzojnë deklaratën vjetore të të ardhurave pranë administratës tatimore qendrore, jo më vonë se data 30 prill, e vitit që pason periudhën tatimore, për të cilën bëhet deklarimi. Ndërkohë që përjashtohen nga detyrimi për të plotësuar deklaratën vjetore të të ardhurave, për tatimpaguesit që janë të vetëpunësuar e që kanë një qarkullim vjetor, deri në 2 milionë lekë dhe tatimpaguesit individë, të cilët gjatë një viti realizojnë të ardhura vjetore, deri në shumën 2 mijë lekë. Sipas vendimit përveç tatimpaguesve, të parashikuar në pikën 1, të këtij neni, deklarata vjetore e të ardhurave mund të plotësohet edhe nga persona të tjerë, që vendosin të bëjnë deklaratën, megjithëse nuk kanë detyrimin ligjor për këtë, si dhe nga personat e parashikuar në pikën 2, të këtij neni, që duan të përfitojnë nga skema e shpenzimeve të zbritshme, e parashikuar në këtë ligj. Sipas të njëjtave burime çdo deklaratë vjetore e të ardhurave plotësohet me numrin e letërnjoftimit të individit, i cili shërben si kodi fiskal i individit.
Projektligji
Propozimin e projektligjit Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998, Për tatimin mbi të ardhurat, të ndryshuar, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Deklarata me të ardhurat dhe shpenzimet
Tatimpaguesi, që bën deklaratën vjetore të të ardhurave, për çdo të ardhur dhe shpenzim, të referuar në këtë deklaratë, mban kopje origjinale të dokumentit që provon të ardhurën apo shpenzimin e zbritshëm ose fotokopje të njësuar nga institucioni lëshues i dokumentit. Sipas vendimit të Këshillimit të Ministrave mësohet se në rastin kur deklarata dorëzohet dorazi apo me postë, fotokopje e këtyre dokumenteve i bashkëlidhen deklaratës vjetore të të ardhurave. Origjinali i tyre, në çdo rast, ruhet në përputhje me legjislacionin fiskal dhe i vihet në dispozicion administratës tatimore, kur kërkohet nga kjo administratë. Sipas të njëjtave burime mësohet se deklarata dorëzohet në drejtorinë tatimore rajonale më të afërt me vendbanimin e tatimpaguesit, dorazi, me postë apo në rrugë elektronike. Deklarata hartohet, sipas formularit të miratuar me urdhër të ministrit të Financave.qeveria ka parashikuar edhe afatet e ekzekutimit të kreditimit. Sipas vendimit mësohet se kreditimi i shumave të përfituara nga skema e shpenzimeve të zbritshme, e parashikuar në nenin 13/3, të këtij ligji, kryhet brenda datës 31 mars të vitit që pason periudhën tatimore, për të cilën është hartuar deklarata. Në rastet kur administrata tatimore konstaton raste të mosplotësimit në kohë të deklaratës vjetore të të ardhurave, zbatohen sanksionet administrative, të përcaktuara në ligjin e procedurave tatimore, për dorëzim. Një tjetër rast i parashikuar në draft është edhe ai kur tatimpaguesi në deklaratën vjetore të të ardhurave jep informacion të gabuar apo të rremë e të pakorrigjuar nga ai vetë, brenda afatit të parashikuar nga ky ligj për korrigjimin, zbatohen dispozitat e Kodit të Procedurës Penale dhe të Kodit Penal.
Të dhënat e deklaratës vjetore të të ardhurave
1. Deklarata vjetore e të ardhurave plotësohet nga tatimpaguesi që mbart detyrimin për të deklaruar, në përputhje me nenin 13, të këtij ligji, dhe përmban të dhëna për të ardhurat bruto, për shpenzimet e zbritshme të kryera, si dhe për tatimet e paguara gjatë periudhës tatimore.
2. Deklaruesi, në rast se konstaton gabime materiale të bëra nga ai vetë gjatë plotësimit të deklaratës, ka të drejtë që, brenda 3 (tri) muajve nga data e dorëzimit të deklaratës, të bëjë korrigjimet e nevojshme.
3. Për të përfituar nga shpenzimet e zbritshme për fëmijët e mitur dhe për personat në kujdestari, të parashikuara në shkronjat b e c, të pikës 1, të nenit 13/3, të këtij ligji, pjesa e deklaratës, që i përket këtyre shpenzimeve, plotësohet vetëm nga kryefamiljari.
4. Mënyra e plotësimit nga kryefamiljari e deklaratës për pjesën e shpenzimeve të zbritshme, për rastet e parashikuara në pikat 2 e 3, të këtij neni, rregullohet me udhëzim të ministrit të Financave.
Të dhënat për të ardhurat bruto
1. Tatimpaguesi në deklaratën vjetore të të ardhurave jep të dhëna për të ardhurat bruto, në të cilat përfshihen:
a) të ardhura bruto nga paga apo të ardhura të tjera nga marrëdhëniet e punësimit
b) të ardhurat bruto nga dividenti për pjesëmarrje në shoqëri tregtare apo nga veprimtaritë e biznesit
c) të ardhurat bruto nga qiraja apo shitja e sendeve të luajtshme apo të paluajtshme, në pronësi të deklaruesit
ç) të ardhurat bruto nga interesa bankare
d) të ardhura bruto të krijuara nga investimet në tituj, në pasuri të luajtshme apo të paluajtshme
dh) shuma bruto të fituara nga lotari apo nga lojëra të tjera të fatit
e) të ardhurat bruto nga pasuria intelektuale, licencat, të drejtat ekskluzive dhe pasuri të tjera që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike
ë) të ardhurat bruto nga skema të sigurimit suplementar
f) të ardhurat bruto nga trashëgimia dhe dhurimi
g) të ardhura bruto të tjera, për të cilat nuk është mbajtur tatimi në burim
Shpenzimet e zbritshme
Për efekt të llogaritjes të së ardhurës së tatueshme të tatimpaguesit, që plotëson deklaratën vjetore të të ardhurave, janë shpenzime të zbritshme shpenzimet e mëposhtme:
a) Shpenzimet për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, kur kontributi është deklaruar si i paguar në burim, por rezulton të jetë i papaguar
b) Shuma e interesit bankar të kredisë së marrë për shkollim, për vete apo për fë