E Diel, 1 Nëntor 2026

VV: Stop aksham pazareve në Gjilan, Komuna përgënjeshtron

“Vetëvendosje” në Gjilan në mënyrë simbolike ka mbajtur një protestë para Teatrit të qytetit, për të kundërshtuar edhe njëherë procesin e privatizimit publiko-privat. Avni Rudaku, nënkryetar i degës së VV-së, tha se para dy vjetëve dy drejtori, ajo për Kadastër dhe e Inspektoratit, patën kaluar me qira në objektin prapa ish-barnatores së vjetër të qytetit. Sipas tij, këto dy drejtori kanë dalë me qira të majme me mijëra euro tek investitori privat, ndërsa Komuna ka pasur objektin e saj për këto dy drejtori.

Përmes partneritet publiko-privat, thuhet se mund të ndërtohen ndërtesa qeveritare, administrative dhe publike, por jo edhe që Komuna të shndërrohet në partner afarist që shet banesa, lokale e garazhe. E katërta, çka bëhet me këta pronarë që blejnë banesat, lokalet e garazhet, ndërsa Ligji mbi Partneritetin Publiko-Privat, neni 10, thuhet se: “Gjatë kohëzgjatjes së marrëveshjes, Autoriteti Kontraktues mundet që përkohësisht t’ia bartë Partnerit Privat pronësinë mbi Infrastrukturën Publike dhe asetet tjera të përcaktuara publike, të cilat drejtpërdrejt ndërlidhen me objektin e marrëveshjes, të cilat i kthehen Autoritetit Kontraktues pas skadimit ose ndërprerjes së marrëveshjes në pajtim me kushtet e marrëveshjes”.

Sipas Rudakut tani janë shpallur zgjedhjet lokale edhe zyrtarisht, prandaj asnjë vendim i rëndësisë madhore nuk duhet të merret nga kjo qeverisje lokale, sepse kjo qeverisje lokale është vetëm një lloj kujdestarie.

VV-ja në Gjilan i ka bërë thirrje prokurorisë që të hetojë këtë pazar, të hetojë shkeljet eventuale, konfliktet e interesit e të ngjashme, ndërsa nga instancat më të larta të gjyqësorit, të cilat kanë përgjegjësi për interpretimin e ligjeve, të interpretojnë Ligjin mbi Partneritetin Publiko-Privat dhe të konstatojnë edhe profesionalisht dhe juridikisht se ku janë bërë shkeljet në këtë proces. “Pra, ky ankand publik nuk duhet të përshpejtohet, por njëherë të merr bazën ligjore interpretuese, sepse më vonë, gjeneratat do të kenë konteste pronësore dhe juridike, prandaj duhet t’i evitojmë gabimet e të kaluarës, që ka ndodhur pas dekadave, të kemi probleme pronësore-juridike me titullarët e pronave”, ka thënë Rudaku, transmeton Rajonipress.

Rudaku u ka bërë thirrje edhe blerësve potencialë të këtyre banesave, para se të shikojnë ankandin, që të marrin këshilla juridike, sepse më vonë mund t’iu dalin telashe pronësore-juridike, qoftë atyre qoftë fëmijëve dhe trashëgimtarëve të tyre.

Pas kësaj proteste të VV-së, Riad Rashiti, drejtor për zhvillim ekonomik, tha se “VV-ja kurrë ia ka qëlluar, sepse ky partneritet i ka kaluar të gjitha procedurat ligjore”.

Ndonëse ishte paraparë të mbahej sot ankandi publik për shitjen e banesave tek dy qendra banesore, ky ankand është shtyrë për herë tjetër pasi që nuk pati të interesuar nga ana e qytetarëve.

Sipas Rashitit, ky partneritet është përkrahur nga të gjitha subjektet politike dhe në këto dy banesa gjithçka është e definuar qartë dhe saktë.”Ndërtimi është i cilësisë së lartë, por ndoshta çmimet e larta kanë ndikuar që të mungojnë edhe blerësit potencial”, tha ai./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›