Qeveria shkarkon dy kryekomunarë të PS

Rama me kreun e komunës Rrethina gjatë fushatës
Qeveria ka miratuar dje shkarkimin e dy kryetarëve të komunave të zgjedhur nga Partia Socialiste, të akuzuar për trafikim lëndësh narkotike dhe abuzim me fondet publike. Këshilli i Ministrave miratoi dje shkarkimin nga detyra të kryetarit të komunës Rrethina, Kleves Muja dhe të kryetarit të komunës Lenie, Astrit Bici. Propozimi për shkarkimin nga detyra të kryetarit të komunës Rrethina, Kleves Muja, është bërë me propozim të ministrit të Brendshëm, bazuar në dokumentacionin e Policisë së Shtetit për pjesëmarrje të tij në grupe të organizuara kriminale të drogës në Itali dhe kërkesës që pala shqiptare ka marrë për ekstradimin e tij nga autoritetet e drejtësisë së këtij shteti. Propozimi për shkarkimin e kryetarit të komunës Lenie, Astrit Bici, është bërë gjithashtu nga ministri i Brendshëm, bazuar në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, në të cilin janë evidentuar shkelje të rënda të ligjit në veprimtarinë e tij si kryetar komune, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.
Ngjarja
Ish-kreu i komunës Rrethina, Kleves Muja, është duke marrë mjekime në spital, pasi ka pësuar gjendje të rëndë shëndetësore dhe u qëllua pas koke me një copë hekuri në burgun e Shënkollit në Lezhë. Prokuroria thotë se ka 40 ditë kohë në dispozicion për ta ekstraduar në Itali sipas vendimit të gjykatës, por pritet që para se të merret një vendim, të konfirmohet edhe gjendja shëndetësore e të arrestuarit. Autori i plagosjes së ish-kreut të komunës Rrethina në Shkodër, Xheladin Kruja, 33 vjeç, i cili mbahej në burgun e Lezhës, është marrë në pyetje dje në lidhje me shkakun e sulmit të dhunshëm ndaj kryekomunarit të arrestuar në Shkodër që mbahej në të njëjtin burg, në pritje të ekstradimit në Itali. Ai ka pasur gisht në trafikimin e një kushërirës sime, e kam pritur atë ditë dhe po ju them se, edhe nëse më izoloni a bëni çfarë të doni, po u ndesha me të, kam për ta vrarë përsëri, ka theksuar në dëshminë e tij autori i ngjarjes, shtetasi Xheladin Kruja. Ai ka shpjeguar se pasi ka marrë vesh për mbërritjen e kryekomunarit në burgun e Lezhës, ka planifikuar ngjarjen, duke hequr nga frigoriferi i qelisë, në pjesën e pasme, një hekur të cilën e ka marrë me vete katër ditë më parë, kur ka dalë në ambientet e ajrimit. Gjatë procesit gjyqësor, avokati Ardian Visha e konsideroi të paligjshëm arrestimin e klientit të tij Kelves Muja e më pas kundërshtoi dhe kërkesën e prokurorit për burgim. Sipas avokatit Visha, konventat e zbatueshme në këtë rast nuk urdhërojnë arrestin në burg dhe vendimi i palës italiane i përket vitit 2009 e, duke qenë një vendim i hershëm, nuk ka arsye për të vendosur burgun si masë arresti. Sipas Vishës, në të paktën 8 raste të tilla është vendosur gjithnjë arresti në shtëpi, me vendim të Gjykatës së Lartë. Ndërkaq, avokati i kreut të komunës Rrethina refuzon ekstradimin e klientit të tij drejt Italisë.
Perseriten Zgjedhjet lokale
Shkarkimi i dy krerëve të komunave do të shoqërohet me ripërsëritjen e zgjedhjeve në komunën Rrethina e Shkodrës dhe në komunën Lenie të rrethit të Gramshit. Shkarkimet janë propozuar nga ministri i Brendshëm Flamur Noka, pas shqyrtimit të raporteve të dorëzuara nga Ministria e Brendshme dhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, që kanë nxjerrë në dritë abuzimet e ish-kryekomunarëve.
Reagimi i deputetit të PS
Gjiknuri: Shkarkimet, skemë në funksion të zgjedhjeve

Damian Gjiknuri
Deputeti i rrethit të Gramshit, Damian Gjiknuri, reagoi dje pas vendimit të qeverisë për të shkarkuar dy kryekomunarët e PS-së në Rrethina të Shkodrës dhe Lenie të Gramshit. Në një prononcim për mediat, ai tha se vendimi është politik dhe i organizuar nga ministri i Brendshëm, Flamur Noka, në funksion të zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Shkarkimi është i motivuar politikisht në funksion të një skeme të qartë për të intimiduar të zgjedhurit socialistë. Nga të dhënat që unë disponoj, kryetari i komunës nuk është vënë fare në dijeni për masën e propozuar dhe njoftimi i ka ardhur vetëm nga media. Kjo është shkelje Kushtetute dhe një proces i parregullt ligjor, tha Gjiknuri. Sipas tij mbi të gjitha është një skemë që sapo ka filluar të implementohet nga Ministria e Brendshme në funksion të zgjedhjeve të vitit 2013. Të zgjedhurit nuk janë zgjedhur që të shkarkohen me çdo shkresë që i vjen qeverisë nga KLSH, pasi Kushtetuta parashikon vetëm shkelje të rënda të ligjit ose Kushtetutës.