Qeveria shqiptare kontribuuese kryesore në restaurimin e Shtëpisë Muze ku u zhvillua Kongresi i Manastirit
Në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë, qeveria shqiptare do të jetë kontribuuese kryesore në restaurimin e shtëpisë muze ku u mblodh “Kongresi i Manastirit” për përcaktimin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në Manastir. Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha i kërkoi Ministrisë së Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe sporteve që nëpërmjet Institutit të Monumenteve të Kulturës të dërgohen ekspertë dhe të merren kontaktet me Ministrinë e Kulturës dhe autoritet e Maqedonisë që ky muze të rikonstruktohet menjëherë.
Më 14 nëntor 1908 në Manastir u mblodh Kongresi i Manastirit ose i quajtur ndryshe Kongresi i Alfabetit për diskutimin e një alfabeti të njësuar që do të ishte fillimi i letërsisë mbarëshqiptare. Në këtë kongres ishin të pranishëm 150 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt, Amerikë, etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri.
21/11/2012