E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet 100 vjetorin e themelimit të Albtelekom

Kryeministri Berisha përshëndeti sot, 100 vjetorin e themelimit të telekomit shqiptar, i ftuar në pritjen e organizuar nga Albtelekom, duke e vlerësuar atë, një rrugë të gjatë, të vështirë, por të suksesshme. 

Kryeministri tha se ky 100 vjetor është një rast i mirë për të shprehur mirënjohjen ndaj atyre që “në terrenin e kushtet më të vështira i dhanë Shqipërisë së pavarur infrastrukturën e parë moderne”

Kryeministri Berisha falënderoi gjithashtu Grupin Çalik, i cili mbështeti fort projektin madhor të qeverisë të Shqipërisë dixhitale, duke e ridimensionuar Albtelekomin dhe ndërtuar infrastrukturën e nevojshme dixhitale. Një vlerësim të veçantë, Kryeministri shprehu për kontributin që Albtelekom e Eagle Mobile dhanë në liberalizimin e mëtejshëm të tregut të telekomunikacioneve. 

Fjala e Kryeministrit Berisha në këtë ceremoni.

“Është një nder i veçantë për mua t’ju uroj 100 vjetorin e themelimit të sipërmarrjes e shërbimit tuaj, t’ju uroj suksese gjithnjë e më të mëdha. Por sot është një rast për mua të përulem me nderim të madh para atyre grave e burrave që themeluan Albtelekomin e shtetit shqiptar, 100 vjet më parë, të përulem me nderim e të shpreh mirënjohjen ndaj atyre qindra e qindra punonjësve të asaj kohe, që me shpejtësi të madhe shtrinë në mbarë vendin linjat e telekomunikacionit, në një vend, ku autostradat më të gjera ishin rrugët e qerreve dhe në tërësi, sistemi rrugor përbëhej nga shtigje mushkash. Në terrenin më të vështirë, në kushtet më të vështira, ata i dhanë Shqipërisë së pavarur infrastrukturën e parë moderne dhe në këtë mënyrë ndikuan me vendosmëri të madhe në konsolidimin e shtetit të pavarur shqiptar dhe zhvillimit e tij.

Ky është një rast për të shprehur mirënjohjen e falenderim tim ndaj Presidentit të Grupit Çalik, Ahmet Çalik, bashkëpunëtorëve të tij në drejtim të Albtelekomit e Eagle Mobile, për dimensionet e reja që i dhanë telekomunikacionit shqiptar, në një hark kohor të shkurtër. Vetëm pak vite më parë, penetrimi i internetit në Shqipëri ishte ndër më të ulëtit në botë, gjithsej 4.8 përqind. Qeveria, për të kapërcyer këtë prapambetje të madhe, përcaktoi si projekt të parë madhor shtrirjen e internetit në çdo shkollë. Pa mbështetjen e fuqishme infrastrukturore, pa kushtimin e kompanisë Albtelekom, ky projekt nuk do të mund të realizohej. Me këtë projekt, ne shënuam hapin e parë të madh e shumë të rëndësishëm në drejtim të Shqipërisë dixhitale.

Albtelekomi e Eagle Mobile udhëhoqën vendosmërisht procesin e liberalizimit të mëtejshëm të tregut, në përputhje me reformat e kësaj qeverie. E drejta e informimit është e drejta për të vërtetën e qytetarëve, pra, është një e drejtë themelore. E drejtë, e cila mund të gëzohet vetëm nëpërmjet një sistemi të fuqishëm telekomunikimi. Në këtë kontekst, gjatë këtyre viteve, Albtelekom e Eagle Mobile kanë dhënë një kontribut shumë të madh në zgjerimin dhe konsolidimin e kësaj të drejte.

Gjatë këtyre viteve, Albtelekom e Eagle Mobile u kanë ofruar konsumatorëve shqiptarë shërbimet ndër të më cilësoret. Së fundi, Eagle Mobile ka marrë licencën e 3G. Unë jam i bindur se ky sistem së shpejti do të kalojë në sistemin 4G, me teknologjinë më të avancuar të kohës. Unë e njoh Ahmet Çalik, një sipërmarrës që rend me një pasion të pandalshëm drejt mundësive të reja të teknologjisë, inovacionit dhe të zhvillimit. Këtë pasion e përkushtim, ai e ka demonstruar edhe në Shqipëri, që është bërë de facto dheu i tij i dytë.

Edhe një herë ju uroj gëzuar këtë 100 vjetor dhe ju falenderoj me shumë mirënjohje ju zoti Çalik dhe të gjithë bashkëpunëtorët tuaj në Shqipëri, në sistemin e Albtelekom e Eagle Mobile.”


19/11/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›