Kryeministri Berisha merr pjesë në inaugurimin e autostradës dixhitale të kombit Tiranë – Prishtinë, në Qafë Morinë
Kryeministri Berisha mori pjesë sot paradite në ceremoninë e inaugurimit të rrugës dixhitale të kombit Tiranë – Prishtinë, linja e interkoneksionit me fibër optike 100 Giga bit për sekondë, në Qafë Morinë, Tropojë. I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe Kryeministri i Kosovës z. Hashim Thaçi, ministra, deputetë, drejtues të Postës Shqiptare dhe Postë Telekomit të Kosovës, etj.
Për realizimin e këtij projekti madhor, një premtim i mbajtur i qeverisë shqiptare në kuadër të nismës “Shqipëria Dixhitale”, është investuar mbi 9 milionë euro nga Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST), 2.6 milionë euro nga Posta e Shqipërisë dhe rreth 2 milionë euro nga kompania “Kujtesa” në Kosovë.
Duke përshëndetur në këtë inaugurim, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që shqiptarët nëpërmjet kësaj autostrade dixhitale do të marrin internet me shumicë të shpejtësive më të larta, cilësive më të mira dhe me çmimet më të ulëta. Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh se autostrada dixhitale që inaugurohet sot nuk njeh kufij në Shqipëri dhe në botë. “Unë jam këtu për t’u zotuar së bashku me Kryeministrin Hashim Thaçi se do të bëjmë gjithçka që këto ndërtesa t’i shndërrojmë në virtuale, në simbolike, do të bëjmë gjithçka për projektin e madh të grave e burrave shqiptarë që u mblodhën në Prizren, në Pejë, në Gjakovë, në Prishtinë, në Shkup e Mitrovicë, do të bëjmë gjithçka që ëndrrën e luftëtarëve të Drenicës dhe mbarë Shqipërisë ta bëjmë realitet të prekshëm për ju, për fëmijët tuaj dhe brezat që vijnë. Kombi do të qëndrojë një dhe vetëm një”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Për të treguar mënyrën e funksionimit të këtij projekti ishin vendosur disa ekrane, me anë të të cilëve të pranishmit ndoqën se si kryhej një lidhje midis qendrës së postës në Tiranë dhe kompanisë “Kujtesa” në Prishtinë, nëpërmjet pikës së interkoneksionit të Qafë Morinës, në Tropojë.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“I nderuar zoti Kryeministër i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi,
Të nderuar zotërinj ministra e deputetë,
Drejtues të Postës Shqiptare dhe Postë Telekomit të Kosovës,
Të dashur qytetarë dhe qytetare, banorë të kësaj zone, kaq të dashur e kaq të shtrenjtë për mua,
Së pari, ju përshëndes përzemërsisht, shpreh gëzimin tim që ju takoj dhe shpreh mirënjohjen time për praninë tuaj sot në këtë ngjarje të rëndësishme, ku së bashku me Kryeministrin e Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi inaugurojmë autostradën dixhitale të kombit, autostradën me të cilën të rinjtë dhe qytetarët shqiptarë do të marrin internet me shumicë të shpejtësive më të larta, të brezave më të gjerë, të cilësive më të mira. Kjo është një dhuratë, një premtim i mbajtur që i bëhet Shqipërisë 100 vjeçare në këtë përvjetor.
Ndërtimi i autostradës dixhitale ishte një investim i disa enteve publike shqiptare dhe enteve private të Kosovës. Në këtë investim, një rol të veçantë ka pasur Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) që ka shtrirë në mbarë vendin mbi 1500 kilometër fibër optike, ka mbuluar distancën Qafë Morinë – Tiranë me 180 kilometër, në tërësi investimi i saj është mbi 9 milionë euro. Posta e Shqipërisë ka investuar, gjithashtu, mbi 2.6 milionë euro dhe firma “Kujtesa” e Kosovës ka investuar rreth 2 milionë euro. Me inaugurimin e sotëm Shqipëria nga 30 Gb internet që merr nga tregu ndërkombëtar, vetëm me këtë autostradë dhe aneksin e saj në Morinë, do të marrë 140 Gb. Ju e dini besimin tim të madh te sektori privat, por në gjithë këto vite investimi i vetëm publik, përveç rrugëve, shkollave, spitaleve dhe ujësjellësve, është ky investim nga Posta shqiptare. Kjo është bërë me qëllimin e vetëm për tu garantuar shqiptarëve internetin me çmimet më të ulëta në Evropë. Ne kohërat na mbajtën mbrapa në mënyrën më të pamerituar, por ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për të kapur dhe kapërcyer kohën e humbur. Shqipëria dixhitale është projekti më i sigurt i kapërcimit të prapambetjes që trashëguam.
Vëllezër e motra,
Këtu jemi në Qafë Morinë, jemi në qafën e historisë. Këtu, nga vitet 1878 e deri në vitin 1999, shqiptarët zhvilluan ndër betejat më legjendare të historisë së tyre. Në këto zona, në këto kodra e male, Sulejman Vokshi, Ali Ibra, udhëheqës të tjerë të Lidhjes së Prizrenit u përballën me ushtritë armike që donin të copëtonin trojet shqiptare dhe shënuan heroizma të paparë ndonjëherë në historinë e ndonjë kombi. Në këto zona, në këtë qafë, në Luftën e Dytë Botërore, në luftën çlirimtare të shqiptarëve kundër koalicionit nazifashist, brigadat shqiptare çliruan territore të tëra e shkuan deri në Bosnjë, duke lënë qindra e qindra martirë që prehen sot të pavdekshëm në altarin e lirisë së kombit. Në këtë qafë, në këto maja, brigadat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës luftuan për muaj të tërë në vitin 1999 dhe në betejën e Koshares, me gjakun e tyre shkulën njëherë e përgjithmonë piramidën e kufirit. Nder martirëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftëtarëve, komandantëve dhe familjeve të tyre.
Vëllezër e motra,
Këtu jemi për të inauguruar autostradën që nuk njeh kufij në Shqipëri dhe në botë. Ndaj dhe unë jam këtu për tu zotuar së bashku me kryeministrin Hashim Thaçi se do të bëjmë gjithçka që këto ndërtesa t’i shndërrojmë në virtuale, në simbolike, do të bëjmë gjithçka për projektin e madh të grave dhe burrave shqiptarë që u mblodhën në Prizren, në Pejë, në Gjakovë, në Prishtinë, në Shkup e Mitrovicë, do të bëjmë gjithçka që ëndrrën e luftëtarëve të Drenicës dhe mbarë Shqipërisë ta bëjmë realitet të prekshëm për ju, për fëmijët tuaj dhe brezat që vijnë. Kombi do të qëndrojë një dhe vetëm një.
Është një rast për tu përulur me nderimin më të madh ndaj të gjithë atyre burrave e grave, vajzave dhe djemve, që këto 100 vite u flijuan për tu bërë të pavdekshëm për lirinë, pavarësinë, dinjitetin e shqiptarëve në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe kudo ku jetojnë shqiptarët.
Duke mbyllur fjalën time, dua t’ju uroj ju gëzuar 100 vjetorin! Edhe një herë dua t’i uroj të gjithë qytetarëve të Kosovës, gëzuar 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar! Shpreh edhe një herë zotimin tim se do të bëjmë gjithçka që shqiptarët kudo që jetojnë, nën moton të bashkohemi me njëri - tjetrin, të bashkohemi me Evropën, të ndjejnë veten një në çdo skaj të trojeve etnike shqiptare.
Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë, flamurin e tyre kombëtar.
Faleminderit!”
20/11/2012