E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Buxheti 2013 parashikon një mbështetje të fuqishme të stabilitetit makroekonomik, rritjes ekonomike të vendit dhe zhvillimit të mëtejshëm të infrastrukturës

-          Ky buxhet është një kontribuues i madh në rritjen ekomomike të vendit dhe punësimin e shqiptarëve

-          Buxheti garanton 820 mijë familje shqiptare, të cilët marrin rroga apo pensione mujore nga shteti, se ato të ardhura mujore do të spostohen në një nivel të ri.

-          Buxheti parashikon një deficit buxhetor ndër më të ulëtit në Evropë, 3.4 për qind.

-          Buxheti parashikon të paktën 5.5 miliardë lekë që i mbeten biznesit nga buxheti.

Kryeministri Berisha prezantoi sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave buxhetin e vendit për vitin 2013, si dhe disa prej drejtimeve kryesore ku do të përqendrohet ai.

Kryeministri tha se edhe në vitin e 100 vjetorit të pavarësisë, vendi do të ketë buxhetin më të madh, si rezultat i punës së shkëlqyer të bërë nga institucionet, agjencitë dhe ministritë, në përmirësimin në rritje të klimës së biznesit, në forcimin e mëtejshëm të disiplinës fiskale dhe performancës së institucioneve respektive, tatime e dogana, si  rezultat i investimeve thelbësore të bëra në fusha shumë të rëndësishme të vendit.  

Kryeministri bëri të ditur se buxheti, i cili  në total arrin në shifrën e 409 miliard lekëve shpenzime, parashikon një mbështetje të fuqishme të stabilitetit makroekonomik dhe rritjes ekonomike. Në këtë kontekst, kryeministri u shpreh se buxheti është një kontribuues i madh në rritjen ekomomike të vendit dhe punësimin e shqiptarëve. “Me 409 miliard lekë shpenzime, kjo përbën një nxitje të fuqishme të punësimit, krijimit të mijëra vendeve te reja të punës nga sektori publik dhe investimet publike. Kjo përbën një rritje të madhe të shpenzimeve, rritje të fuqisë blerëse, e cila në dallim nga ajo që shpalli kollagerët e krizës ka këtë vit rritjen prej 25 %.”, tha kryeministri.

Kryeministri informoi se 500 milionë dollarë nga ky buxhet do të vihet në dispozicion të infrastrukturës, duke theksuar se rrugët do të mbeten sërish përparësia absolute. “Projekti i rrugëve është projekt jetik i zhvillimit- u shpreh kryeministri, ndërsa kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve, përsa i përket këtij objektivi. “Në qoftë se ne përballuam me sukses krizën, unë ju garantoj se vetëm 2 arsye kanë qenë më madhoret; reformat për klimën e biznesit dhe investimet në rrugë e infrastrukturë. Është e faktuar në mënyrën më të përsëritur nga studime serioze të BB-së dhe institucioneve të tjera se çdo dollar i investuar në rrugë, kthen 5-fishin e fitimit, 4.6 deri në 5 herë fitim. E kthen këtë fitim, valorizon tregun e tokës, inkurajon kudo prodhimin, inkurajon bizneset e reja.”

Kryeministri bëri me dije se buxheti do të sjellë sërish rritjen e rrogave dhe të pensioneve. Duke u ndalur tek rrogat, kryeministri tha se rrogat  e zyrtarëve të lartë do të rriten vetëm me 1 %  dhe nuk do të indeksohen, duke mos krijuar në këtë mënyrë diferenca të mëdha me pagat e tjera më të ulëta. Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se rrogat e mësuesve dhe pensionet do të rriten 2 herë më shumë se sa është inflacioni dhe jo vetëm do të indeksohen, por do të rriten edhe njëherë më shumë se sa indeksi i çmimeve.

Kryeministri e cilësoi buxhetin e vitit 2013 një arritje historike, i cili përmbush më së miri nevojat e vendit, në kohën e krizës më të thellë që që ka përfshirë zonën e euros, vendet e rajonit dhe vende të tjera në botë.

Në paraqitjen e buxhetit për vitin e ardhshëm, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Pas interesit më epror për të gjithë shqiptarët, akti më madhor i kësaj qeverie për vitin është buxheti i vitit 2013. Më duhet të theksoj që në fillim se falë një pune të shkëlqyer që kanë bërë institucionet, agjencitë dhe ministritë në këtë vend, në përmirësimin në rritje të klimës së biznesit, në forcimin e mëtejshëm të disiplinës fiskale dhe performancës së institucioneve respektive, tatime e dogana, si  rezultat i investimeve thelbësore të bëra në fusha shumë të rëndësishme të vendit, Shqipëria përsëri paraqet në këtë vit të 100 vjetorit të pavarësisë, buxhetin më të madh në tërë historinë e saj dhe kjo, të nderuar zotërinj ministra dhe të dashur qytetarë, dhe qytetare, përbën po të kemi parasysh krizën e thellë që ka pllakosur zonën e euros, vendet e rajonit dhe vende të tjera në botë, përbën një arritje historike.

Sigurisht që dëshira do të ishte që ky buxhet të ishte edhe disa herë më i madh ose më i madh se ky, por të shënosh një rritje buxhetore në kulmin  e krizës duhet  të lexosh ne sens të kundërt vargjet  e famshme të Dante Aligerit dhe ne kemi rast ti lexojmë ato në sensin tjetër.

Buxheti në total arrin në 409 miliard lekë shpenzime, më të mëdhatë në historinë  këtij vendi. Buxheti parashikon një mbështetje të fuqishme të stabilitetit makroekonomik dhe rritjes ekonomike. Rritja ekonomike e shoqëruar me konsolidim të stabilitetit makro-ekonomik janë zhvillimet më rëndësishme aktuale për një buxhet. Ky buxhet është një kontribuues i madh në rritjen ekomomike të vendit dhe punësimin e shqiptarëve. Me 409 miliard lekë shpenzime, kjo përbën një nxitje të fuqishme të punësimit, krijimit të mijëra vendeve te reja të punës nga sektori publik dhe investimet publike. Kjo përbën një rritje të madhe të shpenzimeve, rritje të fuqisë blerëse, e cila në dallim nga ajo që shpalli kollagerët e krizës ka këtë vit rritjen prej 25 %.

Të nderuar zotërinj ministra, qytetare dhe qytetare,

Ditët që shkuan pati vend aktiviteti më kulmor kulturor dhe artistik në jetën e vendit, Panairi i Librit. Aty janë monumente të gjalla, të dijes, kulturës dhe historisë. Unë fola gjatë panairit për sukseset e tij të jashtëzakonshme në librin në fushën e historisë, ku u botuan albume, libra të shkëlqyer, të cilët bëjnë që historia e këtij vendi dhe e këtij kombi të mos jetë kurrë ajo që ishte më parë, por këtu në këtë mbledhje ,unë do të theksoj vetëm një fakt, aspektin tregtar. Në tre-katër ditë jetë të panairit, miq të librit, të rinj, qytetarë shqiptarë blenë mbi 600 mijë vëllime, rekord, dëshmi kjo e qartë e fuqisë blerëse. Sigurisht që ka njerëz në nevojë, sigurisht që ka njerëz  pa punë, sigurisht që ka njerëz që përballen me dhimbjen e skamjes, por e vërteta është që në tërësi këtë vend fuqia blerëse është rritur nga viti në vit dhe po ritet dhe nuk mundtë ndodhë ndryshe, sepse këtë vit në Shqipëri si në asnjë vend tjetër janë rritur rrogat dhe pensionet, sepse çdo vit në Shqipëri është rritur në mënyrë të ndjeshme dhe thelbësore numri i bizneseve. Nuk them se nuk ka vështirësi, por një gjë është e sigurtë, çdo vit rritja  e rrogave ka qenë se paku dy herë më e madhe se sa rritja e çmimeve, në tërësi në atë standard që përdor e gjithë bota e qytetëruar për vlerësimin e raportit rroga/çmime. Ndonjëherë aleatë të qeverisë bëhen padashur ata qe e sulmojnë qeverinë nga mëngjesi deri në darkë. Dëgjoja një statistikë që banka shqiptare faktonte se shqiptarët në masën 35 deri në 40 % janë në borxhe ose në kredi dhe këtë, këta e paraqisin si kalamitet. në të vërtetë, ky është një nivel kreditimi i ulët. Në të gjitha vendet e tjera, kredia konsumatore, pra kredia për qytetarin është  të paktën dyfishimi i përqindjes në Shqipëri. Njeriu në një konto bankare blen sa i duhet për shtëpi mbi bazën e një  kredie të cilën e shlyen periodikisht. Kur e lexova se dhe trumbetuan dy ditë resht se Shqipëria ka 35 deri në 40 % të qytetarëve në borxh tek bankat apo qoftë dhe tek njëri-tjetri, çfarë do të ishte mirë të ishte tek Banka, unë u them se kjo është një nga përqindjet më të ulëta, u them këtyre zotërinjve, sepse në të gjithë botën kredia konsumatore është të paktën  dy herë më  e lartë se në Shqipëri. Dhe aspekti më pozitiv i kreditimit në Shqipëri është pikërisht ky , se ajo në masën 60 70 % i dedikohet biznesit.

Buxheti është bazuar në një rritje reale prej 4 për qind vitin e ardhshëm dhe kjo është një rritje, le të themi, me rezerva, sepse mund të jetë rritje edhe më e madhe.

Në këtë buxhet, të dashur qytetarë, dua t’ju informoj se 500 milionë dollarë do të shkojnë përsëri për rrugët e këtij vendi, rrugë nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, rrugë nga Fondi Rural dhe pa llogaritur këtu diçka nga Fondi i Rajoneve. Pra, rrugët do të mbeten përparësi absolute. Edhe njëherë, kërkoj mirëkuptimin e qytetarëve; projekti i rrugëve është projekt jetik i zhvillimit.

Në qoftë se ne përballuam me sukses krizën, unë ju garantoj se vetëm 2 arsye kanë qenë më madhoret; reformat për klimën e biznesit dhe investimet në rrugë e infrastrukturë. Është e faktuar në mënyrën më të përsëritur nga studime serioze të BB-së dhe institucioneve të tjera se çdo dollar i investuar në rrugë, kthen 5-fishin e fitimit, 4.6 deri në 5 herë fitim. E kthen këtë fitim, valorizon tregun e tokës, inkurajon kudo prodhimin, inkurajon bizneset e reja. Nëse ndiqni ekranet e televizioneve, në mëngjes, por edhe në kohë të tjera dhe, po të shihni edhe mesazhet që me vijnë mua në telefonin tim, ato lidhen me tema të tilla si: ”kemi nevojë për rrugën tonë, duam rrugën tonë”, sepse njerëzit konsiderojnë rrugë të tyre atë rrugë që u kalon para shtëpive. Akset kombëtare janë akse kombëtare dhe janë jetike, por popullata është e shpërndarë në të gjithë territorin. Ai ka të drejtë të kërkojë rrugën, ai është i bindur se mund të jetojë aty ku është, nëse ne ndërtojmë rrugën, nëse ne ndërtojmë shkollën, qendrën shëndetësore, edhe ai mund të ndërtojë një fermë. Unë isha në Qereshnik, një udhëtim shumë  mbresëlënës. Unë ju ftoj ta vizitoni këtë zonë thellësisht kodrinore, me parcela, me shumë pak toka të rrafshëta, të sheshta. Por banorët deklaronin se, që kur nisi ndërtimi i rrugës, kanë filluar banorët të kthehen nga Berati, Tirana, të vijnë e të ndërtojnë ferma, në ato shpate të pjerrëta. Unë aty pashë një sistem tarracash ndër më të pjerrëtit që kisha parë në jetën time. Unë kam parë tarracat e Zvicrës e në shumë vende të tjera. Pra rruga, sigurisht së bashku me shkollën, energjinë, është korridori i zhvillimit. Ndaj dhe ne do të vazhdojmë të ndërtojmë rrugën. Është një zotim solemn që dy vitet e para të mandatit që vjen, rrjeti rrugor do të ketë përfunduar së ndërtuari. Çdo muaj që banorët e Gramshit, apo të Dukagjinit, të Mokrës,  e kudo që ata ndodhen, do të vazhdojnë të jenë pa rrugë të asfaltuar, ata do ta kenë këtë një vuajtje. Pavarësisht se këta banorë përbëjnë një pakicë, vendi atyre nuk ua kthen shpinën. Ata kanë potenciale të mëdha zhvillimi, të gjithanshme. Ndaj dhe do të vazhdojë investimi i fuqishëm në rrugë, më i madh, rreth 4 miliardë më shumë  se vitin që kaloi.

Sigurisht që rritja e rrogave e pensioneve nuk mund të mungonte. Ndaj dhe është vendosur që rrogat të rriten, duke nisur nga 1 për qind që janë rrogat e zyrtarëve të lartë. Këto rroga nuk indeksohen. Ky është parim në platformën tonë dhe, kur unë shkoj para mësuesit dhe zotohem para tyre se diferenca e rrogave midis Kryeministrit dhe jush, nga 9 me 1 që ishte, ka zbritur në 4.5 dhe do të ngushtohet edhe më tej, unë duhet t’i qëndroj kësaj, sepse do të shkoj sërish te ky mësues. Ndaj këto rroga, të lartat, do rriten më pak. Rrogat e mësuesve do të rriten 2 herë më shumë se sa është inflacioni. Pra, jo vetëm do të indeksohen, por do të dopjo-indeksohen. Ky është qëndrimi ynë, qëndrim të ngjashëm ka me rrogat e infermierëve, mjekëve dhe rroga të tjera. E thashë edhe njëherë, rrogat më të larta mbeten me 1 për qind rritjeje. Ky është një sinjal i mirë. Këtu kemi vetëm një problem. Zoti ministër i Drejtësisë, unë kërkoj të rishihet çështja e rrogave të një grupi punonjësish shumë të rëndësishëm në detyrë e tyre, dhe këta janë gjykatësit, të cilët e pësojnë nga ky rregull, sepse rroga e tyre rritet në përputhje me rrogën e gjykatësit më të lartë. Ju lutem shumë, unë kam kërkuar të amendohet ligji, të bisedohet me opozitën dhe, le të gjendet një mënyrë tjetër. Ky është një grup i vogël prej 340 personash, por të shihet nëse ka edhe ndonjë grup tjetër, prokuror, etj. Ata nuk kanë përse të viktimizohen. I vetmi grup që e pëson është ky grup, që ka lidhje me rrogën e gjykatësit kryesor. Mirëpo gjykatësi kryesor ka rrogë të barabartë me ministrin, etj. me radhë, siç është piramida e pagave.

Pensionet do të rriten dy herë më shumë se inflacioni. Pra jo vetëm indeksohen, por rriten edhe njëherë më shumë se sa indeksi i çmimeve. Nuk mund të pranohet që të rrijë as në vend numëro e as të bëhen hapa pas në nivelin e jetesës. Ky buxhet garanton 820 mijë familje shqiptare, të cilët marrin rroga apo pensione mujore nga shteti, se ato të ardhura mujore do të spostohen në një nivel të ri.

Buxheti parashikon një variacion  plus - minus 2 për qind, në raport me shifrën 60 të borxhit. Mund të jete rreth 60 apo 62.6, por nuk kap 63-shin, në asnjë mënyrë. Ky është një zotim i prerë i Ministrisë së Financave dhe qeverisë, para institucioneve ndërkombëtare. Jemi të lehtësuar para partnerëve tanë, sepse mbajtëm fjalën. 

 Buxheti parashikon një deficit buxhetor ndër më të ulëtit në Evropë, 3.4 për qind. Siç dihet, ne i përmbahemi asaj. Buxheti parashikon të paktën 5.5 miliardë lekë që i mbeten biznesit nga buxheti. Dhe këtu nuk janë llogaritur heqja e TVSH-së për makineritë, nga ku, vetëm me heqjen përfundimtare të  TVSH-së për makineritë, nga buxheti i shtetit i mbeten biznesit 50 milionë dollarë. Nuk janë llogaritur këtu heqja e TVSH-së së çimentos e çelikut për hidrocentralet dhe disa tarifa të tjera. Natyrisht, qeveria bën gjithçka për të ndihmuar biznesit dhe do të vijojë të bëjë.  

Buxheti bazohet në një reformë të thellë në disiplinën fiskale. Janë ndërmarrë disa masa ndër më të  avancuarat në ndonjë vend, për të shmangur evazionin fiskal. Pulla shqiptare fiskale është nga më të sigurtat në botë. Kjo është e vërteta. Kur ne e vendosëm atë, mund t’u tregoj një seri shkresë-protestash që ankoheshin se e ka vetëm një vend dhe përse ne do bëhemi vendi i dytë që e përdornim. Por tani, të dashur miq, kanë filluar ta vendosin shumica e vendeve. Kjo pullë ka një numër sekret që vetëm një dedektor e lexon dhe e zbulon atë numër. Çdo gjë jashtë këtij numri sekret është falsitet. Ky është standardi që vendosim ne për shmangien e evazionit fiskal që ka veti vrastare mbi lirinë e tregut.

Së shpejti fillon kondicioni special mbi të gjitha hidrokarburet që do të qarkullojnë e që do prodhohen në vend, edhe kjo një masë që ri-dimensionon lirinë e tregut në një nga fushat më të rëndësishme të tij, siç është tregu i hidrokarbureve.

Në buxhet përfshihet edhe taksa nacionale mbi lëndën drusore, për mbrojtjen e tij. Ne detyrohemi të vendosim taksë vetëm për këtë qëllim. Unë i dëgjoj disa mjedisorë që kërkojnë ta bllokojnë tërësisht eksportin e lëndës drusore. Nuk mund të prononcohem përfundimisht për këtë, por ajo çka unë gjykoj se është racionale në qëndrimin e tyre, është mbrojtja e pyjeve dhe vlerësoj dhe besoj se, me taksën e eksportit realizohet më së miri edhe qëllimi i tyre fisnik. Por natyrisht, disa rregulla ndërkombëtare jemi të detyruar t’i zbatojmë, sepse nëse e bllokojmë tërësisht, shkelim disa marrëveshje. Edhe kjo që ne bëjmë nuk është në përputhje me marrëveshjet, por ky nuk është një hap ekstrem. Mjedisorët kanë mirëkuptimin për parimin që mbrojnë.  Mendoj se te ky buxhet ata do të gjejnë një mishërim të vullnetit të tyre, natyrisht jo deri në bllokim, sepse do të ishte e pamundur për Shqipërinë që të mund të arsyetojë para BE-së dhe Organizatës Botërore të Tregtisë një vendim të tillë.

Mendoj se u bëra një ekspoze të zgjeruar të këtij buxheti dinjitoz për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Faleminderit.


19/11/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›