Qeveria shqiptare nuk do të sigurojë anonimatin për asnjë kompani karburantesh

Kryeministri Sali Berisha paralajmëron publikimin e emrave të kompanive abuzuese me karburantet
Qeveri shqiptare nuk do të sigurojë anonimatin për asnjë kompani karburantesh të cilat do të abuzojnë me sasinë e naftës apo benzinës që i shesin konsumatorëve. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë në mbështetje edhe të aksionit të një dite më parë të Drejtorisë së Përgjithshme e Metrologjisë, kryeministri Sali Berisha ka kërkuar nga ministri i METE akt normativ për të bërë publike emrat e kompanive abuzuese, duke mos u mjaftuar më vetëm me gjoba. “Zoti Mima dëgjojmë në lajme kontrolli i cilësisë së karburanti ka nxjerrë në pah faktin se disa nga ato stacionet e karburantit i kanë cilësitë përtokë. Por popullit i thonë se ligji nuk na i lejon që ti bëjmë publike. Do të sjellësh me urgjencë, do ta dekretojmë një akt normativ, për të hequr këtë pengesë. Çdo qytetar le ta marrë vesh se kush i bën hile dhe kush nuk i bën hile. Kjo qenka shumë interesante. Ai merr dhe përzien naftën me naftë pusi dhe në do ti themi prit se e ruajmë ne sekretin. Jo, nuk do të ketë asnjë sekret. Megjithatë mua mu duk e çuditshme, por në se ekziston ndonjë pengesë ligjore do të bëhet një akt normativ sot për të hequr çdo pengesë ligjore. Le ta rrëzojnë ata po unë do të shfrytëzoj të drejtën kushtetuese për të mbrojtur interesin e qytetarëve. U ngritën me të madhe kundër shënimit të naftës, sigurisht sepse notonin në fuçi nafte vetë. Shënimi është interesi jetik i qytetarëve. Ky interes nuk është vetëm buxheti, por ky interes është shëndeti në radhë të parë sepse kemi bërë ligje shumë të mira për të ruajtur mjedisin nga ndotjet e gazrave, por duhet të kontrollojmë produktet. Edhe këtë koncesion ata e kanë vënë në listën e zezë. Ne vazhdojmë rrugën tonë. Ne duhet të heqim çdo pengesë ligjore dhe urdhëroni të respektojmë standardet. Nuk po kërkojmë asgjë veçse të shesësh naftë të rregullt. Në këtë kontekst duhet transparencë e plotë dhe të shihet edhe heqja e të drejtës, deri dhe mbyllja e saj”- tha kryeministri.
Mbi 100 milion lekë gjoba janë vendosur ndaj karburanteve, të cilët kanë abuzuar me sasinë e naftës apo benzinës që i shesin konsumatorëve. Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë ka realizuar kontrolle në të gjithë vendin ku janë gjetur rreth 14 subjekte me ndërhyrje në instrumentet matës që përdoren gjatë shitjes së karburantit dhe gazit. Sipas drejtoreshës së DPM-së, Kozeta Mesiti, në rastet kur është konstatuar shkelje janë marrë masa dhe për bllokimin e pikave të karburantit. Drejtoresha Mesiti ka deklaruar se do të vijojnë kontrollet dhe nuk do të lejohet që të abuzohet në kurriz të konsumatorëve, ndërkohë që ftoi të gjithë qytetarët që të denoncojnë nëse hasin shkelje.