Rama të instalojë shërbimin shëndetësor falas ashtu siç ka premtuar
Mbledhja e djeshme e qeverisë kishte në axhendë edhe miratimin një vendimi për autonominë spitalore, por që kryeministri Berisha kërkoi të shtyhej, për shkak se Edi Rama ka premtuar shërbim shëndetësor falas. Berisha i bëri thirrje kreut të PS që të mbajë premtimin ndaj shqiptarëve dhe të realizojë projektin për shëndetësinë falas. “Është dhe një dokument tjetër zoti ministër i shëndetësisë mbi autonominë spitalore, dokument i cili mendoj nuk duhet të kalojë sot, sepse piktori ka premtuar shërbimin falas dhe ne nuk do të kalojmë asnjë dokument për sa i përket reformës së shëndetësisë, për ti lënë fushën siç e dëshiron për të instaluar shërbimin shëndetësor falas. Unë e kuptoj që kjo vështirëson punën e atij institucioni, por unë e kuptoj se tani e merr Beqja në dorë dhe ju kanë premtuar shqiptarëve shërbim shëndetësor falas. Ndaj nuk dua që dokumentet tona, jua them dhe njëherë këtu ne nuk jemi për shërbim shëndetësor falas, ne jemi për shërbim shëndetësor me kontribute. Ky është një dallim. Se çfarë qëndrimi do të mbajmë ne nesër, këtë do ta studiojmë. Kjo është një çështje që e studion PD dhe jo unë. Pra ai dokument nuk do të mund të kalojë sot por do të presë votimin së bashku me shërbimin shëndetësor falas për çdo shqiptar, pa sigurime shoqërore”.