Qeveria shtrin duart te Dhomat e Tregtisë

Monitorimi mbi aktivitetin e Dhomave do të kryhet nëpërmjet sekretarëve të përgjithshëm, të cilët kanë varësi direkte nga ministri i Ekonomisë, Genc Ruli.
Në fillim të 2007-ës, qeveria tentoi të ndërhynte në aktivitetin e Dhomave të Tregtisë, duke rritur kompetencat e sekretarit, por ligji pësoi sërish ndryshime, duke lënë në fuqi vetëm disa atribute të vogla.
Tashmë kur kanë mbetur edhe pak muaj nga nisja e fushatës elektorale, qeveria do ta ketë më të lehtë kontrollin e bizneseve, që janë anëtare të Dhomave të Tregtisë.
Nëse me ligjin e mëparshëm, kompetencat e sekretarëve u hodhën poshtë gjatë votimit në Kuvend, kësaj here ndryshimet e reja nuk do të mund të diskutohen, pasi janë bërë në formë udhëzimi, i nxjerrë në shtator 2008 nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
Për këtë çështje, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë nuk dha asnjë koment, por sqaroi se ligji “Për funksionimin e Dhomave të Tregtisë” e ka të caktuar qartë në statut se cili është roli i kryetarit dhe i sekretarit.
Kontrolli
Në rast se vëren shkelje të ligjshmërisë në vendimet e marra nga organet e Dhomës së Tregtisë, siç janë Asambleja, kryetari, apo Kryesia, sekretari i përgjithshëm i Dhomës së Tregtisë njofton organin mbikëqyrës (Ministrinë e Ekonomisë).
Brenda 30 ditëve, ministria u kërkon këtyre organeve rishikimin e vendimeve të marra, ose, sipas rastit, marrjen e vendimeve për të cilat janë të detyruara sipas ligjit.
Udhëzimi për rolin, funksionet dhe përgjegjësitë e sekretarëve të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë është përgatitur që në maj 2008, por publikimi i tij është bërë këto ditë nga Ministria e Ekonomisë dhe Tregtisë.
Raportimi i sekretarit te ministri bëhet pas çdo inspektimi që do të kryhet ndaj mënyrës së zbatimit të ligjit dhe akteve të tij.
Ndërhyrja e qeverisë në aktivitetin e Dhomave të Tregtisë është kundërshtuar fort nga anëtarët e saj, pasi funksionimi i këtyre organizmave lidhet direkt me kuotat që paguajnë bizneset, duke krijuar një buxhet vjetor në shërbim të aktiviteteve të ndryshme.
Udhëzimi
Sipas udhëzimit të nxjerrë nga ministri i Ekonomisë, sekretari i Dhomës ka të drejtë të shtrojë çështje në Kryesi dhe Asamble, ndjek zbatimin e vendimeve të këtyre të fundit, si edhe firmos procesverbalin e mbledhjes dhe vendimet e zbardhura, duke u siguruar që këto dokumente janë në përputhje me vullnetin e shprehur të vendimmarrësve.
Po ashtu, kryetari i Dhomës është i detyruar të bashkëpunojë me sekretarin në çdo kohë për kryerjen e detyrave në zbatim të vendimeve.
Një tjetër kompetencë lidhet me anëtarësimin në Dhoma, ku sekretari ka rolin kryesor në ndjekjen e procedurave për regjistrimin e bizneseve dhe pagesën e kuotave.
Edhe për shkeljet financiare, sekretari ka të drejtë të urdhërojë sektorin e auditimit në Dhomën e Tregtisë për të ushtruar kontrolle. Në këto raste, sekretari njofton edhe ministrin, i cili mund të ndërhyjë në zgjidhjen e problemeve.
Në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë janë të regjistruar rreth 4 mijë biznese, të mesme dhe të mëdha, ndërsa kuota e anëtarësimit varion nga 50 mijë lekë të reja deri në 100 mijë lekë në vit.