E Shtunë, 31 Tetor 2026

Larg nga modeli, jemi në Ballkan

 

Andis Harasani

Të heqësh paralele politike mes Tiranës dhe Uashingtonit, është një sipërmarrje në kufijtë e të pamundurës. Jo thjesht për atë hapësirë të pamat ujore që na ndan – Atlantikun – por mbi të gjitha, për traditën e ndryshme, kulturën e ndryshme, mjetet dhe mekanizmat tërësisht të ndryshëm që i vënë ato në lëvizje. Nga njëra anë është modeli, nga ana tjetër është bindja në nevojën dhe domosdoshmërinë e transplantimit të modelit atlantik këtej stërkave dhe gërxheve ballkanike. Në jetën normale e të përditshme ky është një operacion mekanik dhe në dukje krejt i thjeshtë. Dikur ndërruam mjetet e ndërmarrjes së famshme komunale – karrocat me kuaj – me makina, biçikletat apo motorët e prindërve në rastin më të mirë, i ndryshuam me Benz-a, dushin e famshëm buçitës të vajgurit e këmbyem me bolierët elektrikë. Fatkeqësisht, me mendjelehtësi menduam se në të njëjtën formë mund të ndryshonim dhe sistemin politik. E morën përsipër ta bënin po të njëjtat portrete, po të njëjtët karaktere të ndrydhur e të kompleksuar nga regjimi; ndryshoi forma, por fatalisht, përmbajtja mbeti e njëjta. Nëse ka një cilësi të pandryshueshme të klasës politike shqiptare, kryesisht e lindur në harkun e pak orëve, ditëve apo javëve në dimrin e ‘90-ës, është mosambientimi i saj me të renë dhe ndryshimin dhe kërkimi i këtyre dy sfidave, gjithashtu vetëm në përmasën e formës. Kjo klasë politike ka mësuar pak, për të mos thënë aspak, nga risia, nga vetëqortimi dhe evoluimi. Ka ndryshuar shoqëria shqiptare, por klasa politike ka mbetur e njëjta. Klasa politike është dukshëm pas saj, është pjesa më e shfaqur e dobësive dhe deformimeve të shoqërisë shqiptare dhe larg, tepër larg nga vitaliteti dhe aftësia për novitet i saj. Hendeku mes tyre nuk është më prej kohësh një paralajmërim, është një realitet i zymtë.
Duke thënë se edhe sot mbas 18 viteve pluralizëm, klasa politike ka mbetur e njëjta në thelb - jo në kuptimin e moskëmbimit të emrave – ky është detaji që përforcon rregullin; një rregull që kushtëzon ciklin e përkëmbimit të ngjyrave të saj në pushtet. Dy vitet e fundit, dhe sidomos në nëntorin e këtij viti, shqiptarët u rreshtuan me dëshirë, kuriozitet apo dhe tifozeri në tribunën planetare që ndiqte ndeshjen për emrin e presidentit të ri amerikan. Dikush pa dhe gjeti te fushata ngjyrat e ndezura të mitingjeve, dikush hapësirat gjigante dhe teknikat e marketingut politik, një tjetër koston astronomike të saj, një tjetër akoma vullnetin e pafund politik për të nxjerrë një ide apo një lider fitimtar. Në fakt, leksioni amerikan për të gjithë botën, edhe në Shqipëri mund të vijë edhe me disa të vërteta të thjeshta. Pak çaste pasi mori vesh se ishte humbësi i fushatës, kandidati Mekein telefonoi Presidentin e zgjedhur Obama. “Unë i kërkoj amerikanëve të më mbështesin e të bashkohen me mua jo vetëm për ta uruar presidentin, por për t’i ofruar atij vullnetin tonë të mirë dhe përpjekjet e sinqerta për të gjetur zgjidhje të përbashkëta dhe kompromiset e domosdoshme, për të lidhur ndryshimet tona dhe për të ndihmuar të riparojmë prosperitetin tonë, të mbrojmë sigurinë tonë në një botë të rrezikshme dhe t’u lëmë fëmijëve dhe nipërve tanë një vend më të fortë dhe më të mirë nga ai që kemi trashëguar ne”, tha në fjalimin e parë senatori për mbi 20 vjet rresht Mekein, veteran i luftës së Vietnamit dhe njeriu që mori mbi 60 milionë vota amerikane. Ish-piloti luftarak nuk pranoi të ndrynte veten në burgun e nervozizmit, smirës, xhelozisë, urrejtjes dhe keqdashjes. Po të bënte kështu, do të humbiste gjithçka. Sepse këtë gjë i kërkoi tradita dhe kultura politike amerikane. E kishte bërë përpara tij edhe Al Gori tetë vjet më parë, kur e konsideroi veten një ushtar i presidentit Bush. Në Shqipëri, kjo qasje, kjo mënyrë sjelljeje konsiderohet dobësi. Sipas kulturës sonë politike, Mekein do të duhej të tregonte me gisht fajtorët; do të shënjonte pjesën e dobët të trashëgimisë Bush, krizën ekonomike, zëvendëskandidaten e tij Pelin, skuadrën elektorale e kështu me radhë, duke e mbajtur gishtin e akuzës në çdo moment larg vetes.
Në Shqipëri, një realitet i tillë ngjan i largët. Kur socialistët humbën zgjedhjet e korrikut 2005, një miku im humbës për të cilin ruaj ende shumë stimë dhe respekt, shkroi një pamflet të fortë politik ku shpjegonte se peshku nuk ishte qelbur nga koka, siç rekomandon urtësia popullore, por se simptomat e të keqes kishin nga bishti i këtij peshku. Faji është gjithkund, unë jam larg fajit, mund të përkthehet pak a shumë një retorikë e tillë për “penalitetin” politik të humbësit.  Të mësosh të sillesh kur humbet, normalisht është më e lehtë sesa kur fiton. Fitimtari amerikan i zgjedhjeve, presidenti i zgjedhur Obama, me siguri matematike nuk ka patur asnjë dilemë kur duartrokiti në fillim rivalen e tij në parti, zonjën Hilari Klinton. Tashmë qytetar i parë i SHBA-së, ai e ftoi kandidaten presidenciale dhe bashkëshorte të një ish-presidenti, në kabinetin e tij. Asnjë inat, asnjë mëri, asnjë shenjë e plagëve të dhëna dhe të marra në dy vjet fushatë. Përkundrazi: Duhet të punojmë bashkë!, ishte fraza që prisnin demokratët nga Obama, ishte realiteti që Amerika e ka pjesë të kulturës së saj. Dhe nuk mbetet këtu. Për hir të Amerikës, e njëjta dorë bashkëpunimi zgjatet dhe ndaj rivalëve republikanë: Po, duhet të punojmë bashkë!
Në Tiranë, me të gjitha gjasat një akt i tillë do të konsiderohej tradhti. Ne respektojmë atë vrundull force dhe arrogance të fitimtarit që të nesërmen e ardhjes në pushtet largon nga puna të gjithë ata që i konsideron armiq, pastaj largon të gjithë “miqtë” e armiqve e më pastaj akoma, largon familjarët e të dy palëve. Edhe kur janë në administratë, edhe kur tentojnë të punojnë ndershmërisht në bizneset e tyre. Torta e pushtetit është gjithmonë e më e vogël për orekset gjithmonë e në rritje të fitimtarit. Që në vend të shohë përpara, kërkon me çdo mënyrë e mjet të krijojë dosje penale për kundërshtarët politikë, jo në emër të ndëshkimit të krimit hipotetik, por të mbylljes së kundërshtarit aty ku ai nuk mund të cenojë pushtetin e sapomarrë. E mendon ndokush një gjë të tillë në SHBA? Edhe mundet, por cilido qoftë rrjedha e traditës, kulturës politike dhe pavarësisë së institucioneve në këtë vend të madh, do ta nxirrte shumë shpejt në bregun e turpit.  Të vazhdosh me paralele të tilla që tregojnë sa largësinë mes Tiranës dhe Uashingtonit, sa mungesën ulëritëse që klasa politike ka dëshmuar në këto 18 vjet për të mësuar rregullat elementare të demokracisë, është krejt e lehtë. Por një gjë e tillë do të shtonte vetëm dhembjen pse jemi dhe pse “luftojmë” të jemi kaq ndryshe nga modeli amerikan që aspirojnë të gjithë. Duke e konsideruar madje një gjë të tillë me emrin buçitës: politikë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›