Qeveria synon të jetë “atraktive” me serbët e veriut

Zëvendëskryeministri Kuçi të enjten edhe njëherë e ka quajtur Raportin e Progresit si mjaft korrekt dhe mbi të gjitha, raportin më pozitiv që Kosova ka pasur deri më tani. Ndërsa për veriun, ai ka përjashtuar çfarëdo mundësi që të ketë një administrim ndërkombëtar, duke thënë se veriu ka nevojë për zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
“Nuk ka nevojë për asnjë administrim atje, ka nevojë vetëm për rend dhe ligj, ka nevojë për implementim të Kushtetutës dhe ligjeve tona dhe të Pakos së presidentit Ahtisari”, ka thënë Kuçi në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë.
Megjithatë, ai nuk e sheh si diçka të jashtëzakonshme mbikëqyrjen ndërkombëtare për këtë pjesë të Kosovës, pasi që për rend dhe ligj, Kosova ka mbikëqyrje ndërkombëtare edhe në Prishtinë dhe në çdo pjesë tjetër të Kosovës.
Kuçi ka thënë se Qeveria e Kosovës është bashkëpunuese me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por bashkëpunuese vetëm në kuadër të kornizave ligjore dhe kushtetuese.
Sido që të jetë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë shpreh zotimin e Ekzekutivit për rend dhe ligj në veri, duke thënë se Qeveria e Kosovës do të jetë atraktive për qytetarët e saj në këtë pjesë të territorit të Kosovës.
“Njerëzit në momente të krizave shikojnë të dalin nga rrethi, por ajo çka mund të themi është zgjidhja më e mirë në kuadër të Kushtetutës, të Pakos së presidentit Ahtisari dhe nëse do të kemi mundësi të jemi atraktivë për qytetarët tanë, kjo nënkupton që t’i heqim zaptuesit e asaj pjese të territorit tonë, zaptuesit e qytetarëve, në këtë rast mendoj ata që në emër të një patriotizmi merren me kontrabandë. Unë jam i bindur që qytetarët serbë atje do të jenë të vullnetshëm për bashkëpunim me neve, dhe ne do të jemi atraktivë po ashtu sikur jemi në pjesët tjera të Republikës së Kosovës”, është shprehur Kuçi.
Megjithatë për zbatimin e rendit dhe ligjit, është gjyqësia ajo që kritikohet shpesh për politizim, dhe si një sfidë që është përmendur edhe në raportin e progresit, me gjithë përmirësimin e aspekteve të ndryshme saj.
Sipas Kuçit, zhvillimet në drejtësi në Kosovë janë 100 për qind më mirë se vitin e kaluar, gjë që sipas tij, e ka treguar edhe raporti i progresit, por për sa i përket politizimit, ai thekson se janë vetë gjyqtarët dhe prokurorët që duhet ta mbrojnë veten nga presioni politik.
“Unë i kam shumë miq dhe kam respekt për ta, por ai gjyqtarë dhe prokurorë që nuk është në gjendje ta mbrojë veten nga presioni politik duhet të tërhiqet nga sistemi”, ka thënë Kuçi.
Ai ka shtuar se ndikimi politik në gjyqësi bëhet përmes dy fushave, përmes mandatit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, dhe përmes buxhetit dhe në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës ka ngritur nivelin e kushteve të gjykatësve dhe prokurorëve, duke rikujtuar me këtë rast faktin që paga e tyre është e nivelit të barabartë me të ministrit, përderisa kanë mandat të përjetshëm, privilegj të cilin nuk e ka asnjë shtet të rajon, e madje as disa shtete të Evropës.
Sa u përket ndikimeve të tjera politike, Kuçi ka thënë se ato janë elemente inkriminuese dhe vetë prokurorët dhe gjyqtarët duhet të ngritin padi për këto raste.