Qeveria të distancohet nga kërcënimet me vdekje për gazetarët
Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë dhe Forumi Shqiptar për Mediet e Lira shprehin shqetësimin e tyre të thellë për kërcënimin publik dhe përshkrimin patologjik të një skene horror vrasjeje ndaj gazetarit Mero Baze, botuar në gazetën “Koha Jonë”. Gazeta bën thirrje publike për vrasjen e gazetarit kritik me qeverinë dhe përshkrua jashtë çdo etike njerëzore skenën e mundshme të krimit.
Duke pasur parasysh se mbi gazetarin në fjalë ka pasur një sërë presionesh nga qeveria shqiptare dhe njerëz afër saj, që kulmuan me bllokimin me policë të gazetës së tij dhe djegien e makinës para shtëpisë, ky kërcënim i ri publik ndaj tij nga një gazetë e afërt me qeverinë, është një goditje e rëndë ndaj lirisë së shtypit dhe një humbje flagrante e etikës së medias ndaj kolegëve të saj.
Ne, shoqatat e gazetarëve shqiptarë, i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të mos inkurajojë në gazetat që ka nën kontroll kërcënime të tilla publike për vrasje gazetarësh dhe të distancohet publikisht nga ky akt. I bëjmë thirrje drejtësisë shqiptare të marrë vetë iniciativën të hetojë dhe të çojë para drejtësisë botuesit e kërcënimeve të tilla, që të krijojnë një klimë terrori dhe frike mbi medien shqiptare kritike me qeverinë.
Ne, shoqatat e gazetarëve shqiptarë, mbështesim fort dhe pa asnjë mëdyshje gazetarët shqiptarë në punën e tyre të përditshme dhe do të bëjmë përpjekje të pareshtura që kërcënime të tilla të mos gjejnë më vend në faqet e shtypit shqiptar, por as në mendësinë e qeverisë shqiptare.