Gazeta e qeverisë bën thirrje: “Të vritet Mero Baze!”
Gazeta “Koha Jonë”, e botuesit Aleksandër Frangaj, e afërme me qeverinë dhe veçanërisht me kryeministrin, Sali Berisha, ka botuar dje një shkrim të detajuar mbi mënyrën se si duhet të vritet botuesi i gazetës “TemA”, Mero Baze. Shkrimi mban emrin e Edison Ypit, por pas tij qëndron vetë Frangaj, i nxitur madje në këtë sipërmarrje nga kryeministri, Sali Berisha.
Shkrimi, i denjë për një film horror, i paparë askund në analet e historisë së medias, bën thirrje për vrasjen e Bazes.
“Çarja e kafkës mund të kryhet me disa mënyra; me përplasje pas muri, me çekiç, me qysqi', me shpërthim, me çpim, me sharrim etj. Por e mira fare do ishte pa e çarë fare. Duke shfrytëzuar brimat. Nga sytë! Jo nga sytë, as nga veshët, as nga hundët. Sepse këto janë të gjitha brima të vogla prej nga mund të dalin vetëm currila. Që truri i Meros të dalë si e meriton, pra kallup, mënyra më e mirë është që ai tru t'i nxirret nga ai organ, të cilin Merua e përdor më shumë, nga goja. Por, para se t'i nxirret truri nga shpella e gojës, duhen zënë ato brimat e vogla. Veshët dhe hundët s'janë problem për t'u mbyllur. Sytë, po. Sepse, para se të mbyllen zgavrat, ato, sytë pra, duhet që, me delikatesën më të madhe të krrehen”, - thuhet në shkrim.
Në vigjilje të vitit të ri, makina e botuesit të gazetës “TemA” u dogj, në rrethana komplet të dyshimta, ndërsa policia nuk nxori asnjë fajtor për këtë ngjarje. Pak ditë më pas, gazeta “TemA” u dëbua në mënyrë kriminale nga ambientet e saj nga policia, duke mos respektuar vendimin e gjykatës.
E gjithë kjo klimë frike dhe presioni, e dirigjuar nga kryeministri, Sali Berisha, ka nxitur reagimin e përfaqësuesve të organizatave prestigjioze ndërkombëtare të medieve, si dhe të diplomatëve.
Gazeta “TemA” ka denoncuar disa nga aferat më të rënda korruptive të kësaj qeverie, duke akuzuar me emër familjen kryeministrore për implikim në to.