E Diel, 1 Nëntor 2026

Fadrom – Fantom

Nga Krenar Zejno

A: Shqipëria është një fantom demokracie. Në gjuhën e turmave: një fadrom demokratike, e cila, nga e ndryshkur për në varrezë, është sajuar, lyer e pispillosur, gati për tender shkatërrimi. Është private fadroma, si në çdo kapitalizëm, por, po s’i tha shteti të shkatërrojë, nuk ka ç’të shkatërrojë! Dhe mbetet pa punë. Me të gjitha dhëmbët në vend, por pa punë. Ja, më në fund të ditës së pritjes mbërrin në muzg edhe urdhri për destruksion…

Shqipëria është një fantom demokracie që po skërmitet. Një fadrom që merr yrysh në paksa tatëpjetë dhe zbythet. Ka gjithë ditën që merr yrysh dhe zbythet. Atypari ka gjithmonë ca njerëz që shohin, nuk dëgjojnë nga zhurmat, por kjo s’prish punë teksa shkulin leshrat. Më tutje ca të tjerë që sodisin shpenguar dhe të tjerë akoma që diskutojnë mbi kuaj-fuqinë e motorrit të fadromës dhe zotësinë e drejtuesit të kësaj binaje.

Pastaj, janë edhe ata që e shohin pa e vënë re këtë pamje idilike - nga yryshi në zbythje - në ekranin News të televizorit: amvisat tek gatuajnë dhe e vështrojnë ekranin vetëm për orën në cepin juglindor të tij. Ora e murit ka mbetur batall pa bateri. Njerëzit e shtëpisë kanë dalë jashtë dhe haraksen duke ndjekur pas fantomën e demokracisë që merr yrysh sërish. Tek-tuk ka ndonjë që shkulet së qeshuri me vete duke parë fadromën, pikërisht kur sapo tjetrit i ra ndërmend për bateritë, e që kësisoj i rezervoi asaj harresën e rradhës. Ndërkohë që dikush si pa lidhje ndërmend spitalin, pavionin, numrin 17 dhe të anasjelltën e mendimit. Dhe më tej, ai tjetri që këtë çast mezi mban ijet me dorë i ulur në gjunjë nga të qeshurit, me kokën, si gjithmonë në të tillë raste gajasjeje, lart.

Tiranë 2005

A ka demi brirë?!

B: Tek e fundit pse duhet prishur shkolla më e shkolluar e vendit?! Përse përshkallëzimi i shkallimit të të shkallluarve duhet të shkulmojë mbi një shkollë?! Pse u dashka të prishen të shkalluarit duke u masturbuar në oborrin e një shkolle? A ka shkallë shkallimi?! Ku e kryen gjithë këtë specializim e shkollë ky lloj shkatërrimi?

Të shkatërrohet Akademia e Filmit “Marubi”!

Mirë pra, mirë po pse? Ë, pse?! Di gjë ti? Po ti di gjë? As ti s’e di! Po kush e di? Atë e dijnë ata, atë e di Ai.

Ah, po! E di pse po prishet Akademia? Ta zëmë, sepse nuk na duhet të ketë më akademi, do të rikthejmë kohën e akademisë greke kur mendimi zhvilllohej në rrugën e shëtitores akademos, dhe do ta rrafshojmë akademinë e ta bëjmë shitore.

-Sa bëjnë shit e shit? Saç bëjnë dhit e dhit në Kavajë: një mut i madh zotni mësues.

- Shumë mirë, ulu! Dhit.

Apo ndoshta Akademia e Filmit Marubi duhet pishur që të asgjësohet filmi, që të mbetet veç një film: filmi shqiptar “Albafilm”.

Apo që të fshihet nga faqja e dheut edhe vetë Marubi si emër! ǒmendje të hollë që paske, mendje femër!

Po. Se kështu e do ligja. Jo ligji: ligja – kjo lavire për orgjitë e të ligjve.

Kam pothuaj 50 vjet i zhytur në studime, tha Frojd, dhe s’ia kam mbërritur të kuptoj se çdo në të vërtetë një femër!

Kam pothuaj 50 vjet i zhytur në Shqipëri dhe shqipërime, ndër ngjyra të përhime, mes derrash llangosur në hime, pa ia mbërritur të kuptoj vërtet se ç’do një mashkull shqiptar me pushtet dhe emër!

Se po të ishte për një ligj të vërtetë mund ta kishit përligjur fare kollaj prishjen tuaj. Mjafton t’i kërkonit studentëve, pedagogëve, ideatorit të kësaj akademie, idealit dhe ndjeshmërisë së artistit të vërtetë, se gjoja do donit ta nisnit vendosjen e ligjit dhe shtetit ligjor të këtij vendi që me ligje di vetëm të qajë kujet, duke bërë kurban pikërisht ikonën e tempullit të sotëm – Marubin, Akademinë e Filmit. Dhe kështu, krijuesi i saj, regjisori i këtij vendi, do t’u lypte partnerëve dhe kolegëve nëpër botë të vijonin shkollimin e studentëve të tij në vendet e tyre dhe, kësisoj, do e këmbente Akademinë veç me një gur në portën e ligjit.

- Mos ik, mjek! Kështu i avitet Kafka fundit të një tregimi të tij.

- Jo, i gjegjet zëri të dergjurit në shtrat, këtu jam, këtu, nuk iki!

- Po, por po iki unë!

E kupton, apo jo! E kupton dot kafka jote se çdo të thotë gjeniu?! Pra, sado të rrish ti që ke detyrimin të mjekosh trupin, kjameti i madh bëhet kur ikim ne që shërojmë shpirtin.

K. Z. Qëndresa Marubi 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›