Qeveria të dorëhiqet, sepse i shpalli të falsifikuara përgjimet

Qeverisë së Kosovës i është kërkuar dorëheqja, për shkak të shpalljes së përgjimeve të telefonatave në të cilat ishte i përfshirë edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, si të falsifikuara, gjë që më pas doli të mos jetë e vërtetë, pas konfirmimit të origjinalitetit të tyre nga EULEX-i.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se Qeveria e Kosovës po i mashtron qytetarët e Kosovës çdo ditë.
“Kjo qeveri nuk do të duhej të ishte hiç. Kjo qeveri ka ardhur si rezultat i një procesi të manipuluar zgjedhor dhe të tjerat janë shumë më të vogla sesa që është manipulimi i vullnetit të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai, shkruan “Koha Ditore”.
Deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca, ka thënë se komunikata e pavërtetë e Qeverisë në rastin e përgjimeve duhet të jetë një nga elementet, për të cilën gjë ajo do të duhej që të dorëhiqej.
“Kjo është edhe një arsye më tepër për dorëheqjen e këtyre njerëzve. Por nuk është arsyeja kryesore.Pse kjo qeveri duhet të japë dorëheqje është korrupsioni i madh, kontrollimi i drejtësisë, kompromiset me Serbinë etj” ka thënë Konjufca./Indeksonline/