"Qeveria u tregua tolerante ndaj opozitës"
Në kuadër të takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s, që u zhvillua në Bruksel nga data 3-4 dhjetor 2009, zv/kryeministri deklaroi në një prononcim për mediat se nuk ka diçka dramatike për t‘u zgjidhur brenda territorit të Shqipërisë, pasi mendoi se tensioni është tërësisht artificial. "Qeveria ka qenë dhe mbetet e hapur për të zhvilluar dialogun me opozitën, me qëllim që të forcojmë institucionet demokratike të vendit dhe njëkohësisht opozita të përmbushë të gjitha përgjegjësitë e saj", tha ai. Meta tha se zgjidhja është që opozita të heqë dorë nga kokëfortësia e saj për të zhvlerësuar sistemin kushtetues të vendit dhe duhet pa asnjë diskutim të mos kthehet në një pengesë për integrimin e vendit, të qytetarëve tanë. "Të gjithë qytetarët shqiptarë, pavarësisht për cilën forcë kanë votuar, dëshirojnë që sa më shpejt të liberalizohen vizat me Bashkimin Europian dhe sa më shpejt të afrohet dita e Shqipërisë në BE", theksoi ai. Qeveria do bëjë çdo gjë në këtë drejtim. Do të vazhdojë të jetë e hapur. "Natyrisht që qeveria s‘mund ta fusë me pahir opozitën në Parlament, por nëse opozita ka zgjedhur si rrugë të dalë nga institucionet, pastaj kjo është një çështje pa asnjë diskutim që tregon për një opozitë që s‘ka prioritet integrimin europian të Shqipërisë, që është një prioritet kombëtar", theksoi Meta. I pyetur nëse mund të shpresohet për një marrëveshje deri në janar, Meta tha se "marrëveshja është gati, qeveria e ka bërë publike, ka treguar maksimumin e tolerancës". Ai këmbënguli që askush mos të presë nga qeveria të dalë mbi gjykatën. Të gjithë na kërkojnë të forcojmë pavarësinë e gjyqësorit, të forcojmë pavarësinë e gjykatave. Dhe natyrisht, vijoi ai, qeveria është angazhuar në këtë drejtim dhe shpresojmë që dhe opozita të hyjë në procesin normal të forcimit të institucioneve demokratike në vend.