E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Berisha tentoi të prekë kutitë

Gjatë një interviste të dhënë për emisionin "Ora e Debatit" të gazetarit Alfred Peza, Rama ka deklaruar me forcë se "opozita është më e vendosur se kurrë për t‘i dhënë fund historisë së shëmtuar të deformimit të zgjedhjeve". Kryetari i PS-së tha se "kutitë mbahen të mbyllura forcërisht, duke shkelur ligjin dhe gjunjëzuar gjykatën, ndaj ne do të vazhdojmë aksionin tonë". Kreu i socialistëve shqiptarë ka theksuar se hapja e kutive të votimit është kërkesë e përcaktuar e Kodit Zgjedhor, që është vënë pikërisht për të garantuar procesin. Rama tha se opozita bëri detyrën për të përgatitur ligjin për zgjedhjet, ndërsa qeveria nuk ka garantuar të drejtat për të gjitha, por ka kërcënuar qytetarët gjatë fushatës, ndërsa më pas ndaloi forcërisht që të hapen kutitë e votimit pas kërkesës ligjore të dy anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kreu i opozitës shqiptare deklaroi se kërkesa e opozitës vjen si një qëndrim legjitim pas "fishkëllimës së arbitrit ndërkombëtar, që ishte misioni i OSBE-ODIHR-it, i cili theksoi se zgjedhjet janë numëruar keq dhe shumë keq në 22 nga 66 qendrat e numërimit të votave". Rama e konsideroi grabitjen e zgjedhjeve si dramatike, që sjell si pasojë rënien e shtetit të së drejtës dhe të ekonomisë. Duke folur për çështjen e komisionerëve, kreu i socialistëve theksoi se në shumë komisione zonale nuk kanë firmosur gjithë komisionerët, por, shtoi ai, ka pasur injektime korruptive me njerëz që administronin procesin. Ndërkaq, duke iu referuar akuzave edhe nga ana e mazhorancës, Rama tha se pikërisht për të vërtetuar edhe këtë, atëherë le të hapen kutitë që të shikohet gjithçka. Kreu i opozitës theksoi se te kutitë nuk bëhet fjalë vetëm për kutitë e votimit, por edhe ata që mbajnë materialet e rëndësishme zgjedhore, si listat apo procesverbalet e tjera të rëndësishme. Rama ka mohuar kategorikisht krahasimin e politikës së opozitës me atë që ka ndjekur Berisha kur nuk ishte në pushtet dhe ka shtuar se aksioni i nisur nga opozita është një politikë e re, që do të arrijë të ndërmarrë ndryshimin e madh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›