Ministri Imami dekoron ish-ministrin Safet Zhulali
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka dekoruar dje me rastin e 97-vjetorit të krijimit të Forcave të Armatosura, 12 personalitete shqiptare që sipas ministrisë kanë dhënë kontribut të shquar për ushtrinë shqiptare. Ndër këta figura ka spikatur, ish-ministri i Mbrojtjes, Safet Zhulali, i cili ka qenë ministri i parë i Mbrojtjes pas vitit 1992 i cili ka instaluar marrëdhëniet e para me strukturat e NATO-s. Përveç nderimit(pas vdekjes) së z.Zhulali, Imami ka dekoruar edhe 11 figura të tjera që nga gjenerali i parë shqiptar dhe ministër i parë i luftës i qeverisë së Ismail Qemalit, Mehmet Pashë Dërralla. Me anë të një ceremonie të veçantë u dekoruan: 1. Gjeneral Mehmet Pashë Derralla, gjeneral Ali Kolonja, gjeneral Ismail Tatzati, gjeneral Xhemal Aranitasi, kapter Mujo Ulqinaku, major Abaz Kupi, kolonel Muharrem Bajraktari, gjeneral major, Dali Ndreu, Safet Xhulali, nënkolonel, Hamit Bali, kapiten Kamber Sejdini, dhe kapiten Islam Radovicka. Ndërkaq, dje është zhvilluar një ceremoni e posaçme me rastin e 97-vjetorit të krijimit të ushtrisë shqiptare. Në këtë aktivitet ka marrë pjesë edhe Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Kreu i Shtetit, në fjalën e mbajtur me këtë rast tha se anëtarësimi i vendit në NATO hap të tjera sfida të reja për ushtrinë shqiptare. "Sot është dita kur të gjithë ne kujtojmë historinë e lindjes, formimit dhe konsolidimit të Forcave tona të Armatosura, që, ashtu si historia e shtetit shqiptar, kanë rrugëtuar mes vështirësish, sakrificash dhe sfidash, të cilat duhet të na ndihmojnë të shikojmë më të sigurt të ardhmen e në të njëjtën kohë të na qartësojnë qëllimin për të cilin ato janë formuar dhe të cilit i shërbejnë me besnikëri". Kreu i shtetit shtoi më tej se sot kujtohen e nderohen me shumë respekt të rënët dhe dëshmorët e atdheut. "Ata mbeten patriotë, heronj dhe simbol i së vërtetës, për të cilën dhanë jetën dhe u ndanë nga familjet dhe të dashurit e tyre". Ushtria shqiptare - vlerësoi Presidenti - sot qëndrojnë në krah të ushtarakëve të vendeve më të mëdha në misionet paqeruajtëse në Afganistan, Çad e Bosnjë-Hercegovinë dhe janë të vendosura të përmbushin me përkushtim, profesionalizëm dhe përgjegjësi qëllimin e përbashkët e të përballen me trimëri dhe dinjitet me sfidat. Duke i siguruar mbështetjen e tij si President i Republikës dhe si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura në rrugën e përmirësimit të mëtejshëm të ushtrisë shqiptare edhe në përmbushjen me sukses të detyrave, Topi tha
"Sot është dita kur duhet të mendojmë për nesër. Sot është dita jo vetëm për të ndërtuar të ardhmen, por edhe për ta mbrojtur dhe siguruar atë. Kjo është një detyrë jo e lehtë, por jo e parealizueshme. Suksesi varet nga vullneti, trimëria, përgjegjshmëria, pasioni, besnikëria, patriotizmi dhe profesionalizmi që ju do të tregoni". Y.Pata
"Sot është dita kur duhet të mendojmë për nesër. Sot është dita jo vetëm për të ndërtuar të ardhmen, por edhe për ta mbrojtur dhe siguruar atë. Kjo është një detyrë jo e lehtë, por jo e parealizueshme. Suksesi varet nga vullneti, trimëria, përgjegjshmëria, pasioni, besnikëria, patriotizmi dhe profesionalizmi që ju do të tregoni". Y.Pata