E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, urdhër mjekëve të mbyllin gojën për problemet e shëndetësisë

Spitalet në vendin tonë janë drejtë një kolapsi total. Qendra më e madhe spitalore në vend QSUT-ja gjendet përballë problemeve të shumta. Mungesa e ilaçeve, numri i pakët i shtretërve, gjendja e godinave, mungesa e theksuar e aparaturave, mungesë e theksuar higjiene në ambientet spitalore, sallat e operacioneve në kushte skandaloze si dhe një sërë problemesh të tjera janë bërë gangrenë e shëndetësisë në vitet e fundit. Megjithëse krerët e shëndetësisë për çdo ditë deklarojnë se skema e re e administrimit të spitaleve ka bërë përparime ato nuk janë fare të dukshme për pacientët. Janë ato të cilët e vuajnë për çdo ditë mungesën e ilaçeve dhe vrapojnë në farmacinë më të afërt për të gjetur medikamentet që spitalet nuk i ofrojnë kurrë. Ishte vetë drejtorja e QSUT-së Gjeorgjina Kuli e cila në mënyrë të paturpshme deklaroi se institucioni që ajo drejton nuk është në nivelet zero. Pacientët presin që të paktën qendra spitalore më e madhe në vend të jetë në kushtet më të mira ajo deklaron se nuk është në nivelin zero. Si për ta shtyrë më tej skandalin, ditën e djeshme ajo urdhëroi të gjithë shefat e departamenteve në këtë qendër që të mos lejojnë futjen e politikanëve për fushatë në ambientet e spitaleve si dhe të mos i mbështesin ato, në rast të kundërt ato do të pushohen menjëherë nga puna. Për këtë urdhër ajo dha një arsye akoma më qesharake. Ajo deklaroi publikisht se jemi para një situate të vështirë ku viruis H1N1 po na afrohet dhe futja e shumë njerëzve në ambientet e spitaleve mund të sillte edhe këtë virus. Më tej ajo nuk dha as edhe një shpjegim tjetër veçse vazhdoi me akuza të tjera ndaj vartësve të saj duke i akuzuar edhe për dezinformim.
Fletë-rrufe në tavolinat e mjekëve: Jo pjesë e fushatës, se do pushoheni
Si as edhe një herë tjetër, dje në zyrat e shefave të shërbimit spitalor në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë Nënë Tereza, janë gjendur fletë-rrufe. Në secilën prej tyre ishte e shkruar qartë, e zeza mbi të bardhë se ato mjekë që bëhen pjesë e fushatës elektorale në ambientet e spitaleve automatikisht do të pushohen nga puna. Ky është i pari rast që një institucion shtetëror urdhëron madje kërcënon personelin që të mos angazhohet politikisht dhe të mos lëshojë ambientet për takime elektorale. Drejtoresha e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, Gjeorgjina Kuli deklaroi sot se "në rast të përsëritjes së këtij fenomeni do të kërkojë dhe marrje të masave, deri në largim nga puna". Deklarata e znj. Kuli vjen një ditë pas vizitës së kreut të opozitës në spitalin Pediatrik të QSUT-së. Gjatë kësaj vizite ishte shefja e departamentit të pediatrisë, Luljeta Kote e cila shfrytëzoi kamerat dhe median për të bërë alarmante gjendjen e repartit që ajo drejton, ku ka mungesë të theksuar të kushteve më minimale. Siç u shpreh vetë ajo "institucionet spitalore shëndetësore janë institucione kurative ku kryhet shërbimi ndaj të sëmurëve dhe nuk bëhet fushatë elektorale, aq më tepër që situata aktuale epidemiologjike dikton kufizim të hyrjeve pa kriter në spitale, për shkak të rrezikut të virusit A (H1N1)". Ndaj paralajmëron pushimin nga puna të atyre shefave që lejojnë hyrjen e politikanëve në ambientet e spitaleve si dhe shfaqjen e tyre përkrah liderëve partiak. Ndërkohë ajo ka reaguar edhe për deklaratat e mjekëve, për skemën e sigurimeve. "Zbatimi i reformës shëndetësore, futja në skemën e shërbimeve spitalore e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësore ka nisur në janar 2009 dhe ne kemi filluar të ndjejmë rezultate e para të përmirësimit", tha Kuli. Më tej ajo i akuzoi mjekët e spitaleve duke thënë se ato janë të padizinformuar për skemën e re që është vendosur në shëndetësi. Me sa duket ajo ka harruar se këto mjekë po e prekin për çdo ditë nga afër realitetin në qendrat spitalore dhe janë më shumë të informuar se sa ajo vetë. Më tej ajo shprehu keqardhjen që disa prej shefave të shërbimit të QSUT-së janë të dizinformuar dhe nuk kanë informacion siç duhet mbi skemën dhe se ku shkojnë fondet e ISKSH-së. Një javë më parë është zhvilluar dhe një mbledhje me shefat e shërbimit ku janë sqaruar me hollësi pagesat, të ardhurat dytësore, shtesat e pagave dhe shumë problematika të tjera në QSUT", informoi Kuli. Duke mos përjashtuar problemet aktuale në QSUT dhe në shëndetësi në përgjithësi, ajo theksoi se "shëndetësia është shumë më përpara se në të gjitha vitet e tjera". Ndërkohë, drejtoresha e QSUT-së siguroi se situata aktuale në këtë spital, i vetmi në vend i nivelit terciar është e mirë dhe për asnjë moment spitali nuk është gjendur në nivel zero.

Last Updated on Tuesday, 16 June 2009 21:39

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›