E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruçi akuzon Shkëlzen Berishën për ndërhyrje në ligjin për trafikun e armëve

Deputeti socialist, Gramor Ruçi akuzon djalin e kryeministrit Sali Berisha në lidhje me ligjin e trafikut të armëve. Në një debat televiziv përballë ish ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, deputeti socialist Ruçi deklaroi se kryeministri bëri një VKM ku para se ta miratonte qeveria duhet ta miratonte djali i kryeministrit Berisha me shënimin e ministrit të Drejtësisë, për VKM e nxjerrë në zbatim të ligjit. Djali i kryeministrit duke mos pasur besim tek Ministria e Mbrojtjes për emërimin e kryetarit të prokurimeve, donte që ta emëronte qeveria. Shkresa është origjinale me shkrim origjinal. Doli VKM dhe nuk u zbatua asnjë ditë dhe asnjë orë. Përfshirja e djalit të kryeministrit në çështjen e Gërdecit dhe fakti se Berisha nuk e njihte baxhanakun e tij që punonte në atë ndërmarrje, është një përgjegjësi morale, politike dhe administrative. Qëndrimin që mbajti Mediu duhet ta kishte mbajtur ai njeri që kemi 18 vjet që e mbajmë mbi shpatulla, që tallet me këtë vend, që nuk njeh tregtinë e armëve. Po çfarë tregtie njeh ai, të domateve dhe preshve?, theksoi Ruçi. Ndërsa nga ana e tij, ish ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu ka deklaruar se në lidhje me çështjen e Gërdecit nuk është marrë asnjëherë në pyetje nga prokuroria për të dëshmuar për të. Ndër të tjera ai ka përjashtuar çdo përgjegjësi juridike për shpërthimin e Gërdecit. Skam asnjë përgjegjësi juridike për shpërthimin në Gërdec. E kam dhënë dorëheqjen mbi bazën e përgjegjësisë morale pasi pati viktima. Ngjarja e Gërdecit është një ngjarje shumë e rëndëm, që ka ardhur si pasojë e municionit të tepërt që ndodhet në vend, është shprehur Mediu. Ai akuzoi organin e akuzës për mos hetimin e çështjes. Prokuroria jo vetëm nuk hetoi çështjen, por la jashtë hetimit pista shumë të rëndësishme, që lidhen me interesat strategjike të këtij vendi. Nuk u pyeta asnjëherë për çështjen e Gërdecit, nënvizoi Mediu, duke theksuar se prokurorja Ina Rama të fillojë hetimin, pasi sipas tij e ka zell të madh thashethemin e gazetave. Ndër të tjera, ish ministri shtoi se municioni është rrezik për sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Duke u përqendruar tek situata zgjedhore, Ruçi ka theksuar se dhuna e përdorur kohët e fundit në të është e frymëzuar nga administrata. Në këtë drejtim ai ka akuzuar përdorimin e administratës në mitingjet e mazhorancës së djathtë, që sipas tij dhunohen njerëzit hapur, ku mësuesit i kërkohet vota e fotografuar në celular. Sipas tij, shqetësimi i PS është që të mos mbetet asnjë votues pa votuar duke shtuar se do të ishte mirë që shteti të ishte transparent që të jepte informacionin e besueshëm.  Fushatën e opozitës e zhvillojnë të gjithë kandidatët e strukturave organizative të Shqipërisë, ndërsa për maxhorancën, fushatën e zhvillojnë drejtorët. Politika dhe politikanët duhet të përpiqet tu përgjigjen shtetasve të vet. Maxhoranca e la problemin e kartave për 6 muajt e fundit dhe nuk e shikon si shërbim. Ne thellojmë mospjesëmarrjen në votime me mungesën e dokumentit të identifikimit, vijoi ai. Ndërsa duke komentuar vrasjen e aktivistit të PD-së në fshatin Qerret, Ruçi theksoi se dhuna në të gjitha rastet është e keqe, por nuk duhet parë si përgjegjësi tek militantët, por tek politika e institucionet e shtetit. Ndërsa nga ana e tij, Mediu e ka dënuar këtë ngjarje duke theksuar se opozita duhet të kishte pasur një reagim më të ndjeshëm. Sipas tij, duhet të dënohet diçka që është e keqe, por këtu veçoi faktin se ajo që vihet re sot është se fushata zgjedhore është kthyer në një fushatë të organizuar mediatikisht. Më tej, duke e vënë theksin tek zgjedhjet, kreu i PR ka theksuar se ato duhet të jenë sipas standardeve evropiane, pasi duke qenë një anëtar i NATO-s, vendit nuk i lejohet të gabojë. Të vërtetat duhet ti themi siç janë. Ajo që ndodhi në Qerret ka nuancat e një krimi politik, vjen drejtpërdrejt për shkak të fushatës zgjedhore. Kërkon reflektim të të gjitha palëve me maturi nga mazhoranca me përgjegjësi që duhet të fillonte me një lloj ndjese nga PS për atë që ndodhi. Ajo që vihet re vjen për shkak se fushata është kthyer në një fushatë e organizuar mediatikisht, theksoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›