E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, vendim për medaljet e shpërblimet për policët

TIRANE- Qeveria vendosi sot rregulla të qarta ligjore për dhënien e medaljeve, formën e tyre dhe shpërblimin finaciar të punonjësve të policise.

Vendimi për "motivimin, rregullat dhe procedurat për dhënien e medaljeve, formën e tyre dhe shpërblimin finaciar", është marrë në mbledhjen e zhvilluar sot nga Qeveria, në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 124 e 125, të ligjit nr.9749, datë 4.6.2007, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, pas propozimit te ministrit të Brendshëm.
Sipas ketij vendimi, medaljet, jepen nga Ministri i Brendshëm, për punonjësit e Policisë, punonjësit e shërbimeve mbështetëse dhe punonjës policie të huaj, të atashuar në vendin tonë, kur ata shquhen për merita të veçanta, nderkohe qe, medaljet që jepen janë: Medalja e Nderit, Medalja për Trimëri, Medalja për Shpëtim Jete, dhe shoqërohen me motivacionet përkatese.

Ministri i Brendshëm ka të drejtë për dhënie medaljeje me nismën e institucioneve vartëse, me ose pa propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Ndërkohë, propozimi ose nisma për dhënien e medaljes shoqërohet gjithmonë me përshkrimin e arritjeve dhe veprimtarinë konkrete ku është dalluar i propozuari. Dhënia e medaljeve bëhet në raste festash kombëtare, përvjetorësh, datash historike dhe ngjarjesh të shënuara për Policinë e Shtetit etj.

Gjithnjë sipas këtij vendimi, dhënia e medaljes shoqërohet me një shpërblim financiar, i cili është: Për punonjësit e policisë me gradë policore, për Medaljen e Nderit, në shumën 100 000 (njëqind mijë) lekë; Për Medaljen e Trimërisë, në shumën 100 000 (njëqind mijë) lekë; Për Medaljen për Shpëtim Jete, në shumën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›