E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, prangosen 2 900 emigrantë ilegalë, mes tyre dhe shqiptarë

MICIGAN-Më shumë se 2 900 emigrantë ilegalë të dyshuar për krime të të rënda, mes të cilëve dhe disa shqiptarë janë vënë në pranga në mbarë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bëri të ditur sot Zyra e Emigracionit dhe Doganave e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Të arrestuarit akuzohen për krime të ndryshme, duke nisur nga drejtimi në gjendje të dehur të automjetit, abuzim seksual me të mitur apo krime të tjera seksuale, plagosje me armë, hyrje të paligjshme në territorin e SHBA, bënë të ditur oficerët, por duke mos bërë të ditur emrat e të arrestuarve.

Oficerët thanë se falë operacionit “Cross Check” që ka nisur në vitin 2009 janë vënë gjithsej në pranga 4 500 emigrantë të paligjshëm, por ky i fundit cilësohet më i madhi dhe më i suksesshmi pasi arrestimet e mbi 2 900 personave u bënë në harkun kohor brenda 7 ditëve.
Emigrantët ilegalë i përkasin shteteve, Meksikë, Guatemala, Kuba, Kanada, Irak, Shqipëri, Serbi, Xhamajka, India, Polonia, Republika Domenikane, dhe Jordania.

Oficerët thonë se falë këtij operacioni tani në lagjet amerikane ka 2 900 emigrantë të paligjshëm më pak, shumë prej tyre dhe të rrezikshëm.

Sipas oficerëve të policisë, 1600 prej të arrestuarve kishin dënime të pakryera për vrasje, rrëmbim personi, grabitje me armë, trafik droge, abuzim seksual me fëmijët.
Nga pjesa tjetër e të arrestuarve, 42 ishin anëtarë të bandave, kurse 151 të tjerë ishin dënuar për krime seksuale.

Ndërkohë 681 të tjerë ishin emigrantë të paligjshëm që ishin njoftuar disa herë të linin vendin, por nuk i ishin bindur urdhërit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›