E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria, vendim për tenderimin e bankës ku do të qarkullojnë paratë e shtetit

Ja procedurat e përzgjedhjes së bankës që do të mbajë arkën e shtetit

Të gjithë paratë e buxhetit të shtetit, do të qarkullojnë në një bankë të vetme. Vendimi është marrë dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave ku janë përcaktuar edhe disa kritere që do të ndiqen gjatë procesit të përzgjedhjes së bankës. Sipas vendimit mësohet se marrëveshjet ndërmjet institucionit dhe bankës të jenë vjetore,

me të drejtë përsëritjeje, të jepen të drejtat dhe detyrimet e palëve, si dhe e drejta e zgjidhjes së marrëveshjes në mënyrë të njëanshme. Ndërkohë që procesi i përzgjedhjes së bankës ti referohet rregullave, të vendosura nga ligji për Ankandin publik, nëpërmjet një komisioni, të caktuar nga titullari i institucionit.


Vendimi
Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin Për përzgjedhjen e bankës për kryerjen e shërbimit të mbajtjes së llogarive bankare të institucioneve qendrore, institucioneve të varësisë, si dhe ndërmarrjeve dhe shoqërive tregtare shtetërore. Ky vendim ka për qëllim mirëpërdorimin e fondeve publike, sigurimin e integritetit dhe transparencës në procedurat e përzgjedhjes se bankës për çeljen e llogarive bankare të institucioneve qendrore e të varësisë dhe shoqërive me kapital shtetëror, si dhe uljen e kostos se shërbimeve bankare, për menaxhimin e likuiditeteve të punonjësve. Sipas vendimit të qeverisë mësohet se në kuadrin e ekzekutimit të pagesave në llogaritë personale bankare të punonjësve publike, qeveria tha se ka dalë e nevojshme edhe rregullimi i procedurave dhe kritereve të përzgjedhjes së bankës, në të cilat institucionet e qeverisjes qendrore e të varësisë dhe shoqëritë me kapital shtetëror mund të hapin dhe të mbajnë llogaritë e tyre bankare. Nisur nga kjo, vendimi vendos kritere për të garantuar një proces transparent përzgjedhjeje të bankave të nivelit të dyte, për hapjen e llogarive bankare dhe kryerjen e pagesave, si dhe të rregullojë marrëdhëniet midis institucioneve publike dhe sistemit bankar, tha zyra e shtypit. Sipas saj, disa kritere që propozohen në vendim, gjatë procesit të përzgjedhjes do të ndiqen një sërë kriteresh. Sipas të njëjtave burime mësohet se marrëveshjet ndërmjet institucionit dhe bankës të jenë vjetore, me të drejtë përsëritjeje, të jepen të drejtat dhe detyrimet e palëve, si dhe e drejta e zgjidhjes së marrëveshjes në mënyrë të njëanshme.


Tenderi
Procesi i përzgjedhjes së bankës ti referohet rregullave, të vendosura nga ligji për Ankandin publik, nëpërmjet një komisioni, të caktuar nga titullari i institucionit. Sipas vendimit të qeverisë mësohet se kritere reference për kualifikimin e bankës lidhur me nivelin e komisionit bankar për mirëmbajtje llogarie, kostos minimale për transaksion, interesin për llogari depozite pa afat, shpejtësisë në depozitimin e pagave.


Pagat e punonjësve
Në fillim të prillit qeveria vendosi që tu jep të drejtën nëpunësve të shtetit që nëpërmjet një formulari të zgjedhin me dëshirën e tyre bankën në të cilën dëshirojnë që të marrin pagën. Kjo është një lehtësim më tepër për punonjësit të cilët nuk do të varen më nga marrëveshjet që titullarët e institucionit lidhin me bankat por do të zgjedhin vetë ofruesin e këtij shërbimi. Sipas vendimit të gjitha institucionet duhet t'u shpërndajnë punonjësve të tyre nga një formular në të cilën krahas gjeneraliteteve, ky i fundit do të vendosë edhe emrin e bankës në të cilën dëshiron të tërheqë pagën si dhe llogarinë bankare nëse ekziston një e tillë. Nëse ka llogari të hapur në bankën që ai përzgjedh për tërheqjen e pagës punonjësi duhet të plotësojë edhe numrin e kësaj llogarie në këtë formular. Sipas përcaktimeve të bëra, formulari duhet të plotësohet brenda dy ditëve nga data që ai është marrë në dorëzim nga punonjësi.

Ornela Manjani

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›