Dashi reflekton, mashtron sërish qytetarët për ndryshimin sipërfaqësor të QSUT
Në këtë formë Dashi ka deklaruar edhe një tjetër mashtrim të radhës, për tu mbyllur sytë pacientëve e qytetarëve që përpos mungesës së ilaçeve duhet të vuajnë edhe gjendjen mizerabël që gjendet në ambientet e jashtme të QSUT-së. Por edhe pse deklaratat kanë qenë mjaft shpresëdhënëse ky është vetëm një premtim i radhës. Në fjalën e tij ditën e djeshme kreu i QSUT-së ka deklaruar se ka përfunduar hartimi i planit rregullues të ambienteve të jashtme të këtij spitali. Sipas Dashit ndërhyrja e parë e këtij plani do të jetë ajo e sistemimit të hapësirave për parkimet e vizitorëve, të personelit dhe vend qëndrimet e taksive. Ndër të tjera parkimet për vizitorët do të jenë pranë hyrjeve kryesore në spital. Gjithashtu parashikohen tre vend-parkime me kapacitete të mëdha për pacientët dhe familjarët e tyre. Në këto parkime do të parashikohen edhe vende për parkimin e mjeteve të invalidëve, për vendosjen e motoçikletave dhe të biçikletave, si dhe për makinat e personelit mjekësor të QSUT, - u shpreh Dashi. Sipas tij, edhe për këto parkime duhet të kihet kujdes në ruajtjen e gjelbërimit ekzistues. Më pas, vëmendje do ti kushtohet edhe rritjes së cilësisë së rrethimit duke restauruar murin ekzistues, nëpërmjet mbylljeve për të gjitha çarjet që ka. Në bazë të këtij plani, QSUT do të ketë tre porta hyrëse dhe në pikën e kalimit pranë çdo porte do të parashikohet hapësira e nevojshme për këmbësorët. Pranë çdo porte hyrëse do të jenë pikat e informacionit dhe tabelat orientuese në territorin e spitalit për të ndihmuar dhe orientuar pacientët. Gjithashtu parashikohet një skemë e re për sistemimin e mbledhjes se mbeturinave, ku krahas kazanëve të mëdhenj, shërbimi të ofrohet edhe me kazanë më të vegjël grumbullimi në të gjithë territorin. Një pikë e rëndësishme e këtij planit, është ndërhyrja në meremetimin e fasadave të objekteve spitalore, në evidentimin e nevojave për meremetim të suvatimit të jashtëm.