Kuvend, Berisha thirrje opozitës: Votoni 3 ligjet e integrimit

Nga foltorja e kuvendit Kryeministri Sali Berisha i ka bërë sërish thirrje opozitës që të votojë 3 ligjet e integrimit. “Janë tre ligje, të cilat prekin në disa mënyra të ardhmen e shqiptarëve dinjitetin e shqiptarëve dhe këto janë ligjet që pret Komisioni Evropian që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat. Ju bëj thirrje ngrihuni në lartësinë e përgjegjësisë si qytetarë dhe politikanë: Votoni këto 3 ligje”- apeloi kryeministri.
Berisha akuzoi opozitën se u përpoq për tre muaj që të bindë qytetarët se 3 ligjet nuk janë kusht për integrimin dhe kërkon të gjejë çdo fije bari për të bllokuar procesin e integrimit.
Kryeministri Berisha në Facebook
"Sot në Parlament i bëra thirrje opozitës të votojë tri ligjet e kërkuara nga Komisioni Evropian dhe të mos vazhdojë t’i bllokojë ato sepse këtë që bën kjo opozitë s’e ka bërë asnjë opozitë në Evropë. Kjo që bën opozita na paraqet ne shqiptarëve ndryshe nga të gjithë të tjerët. Na paraqet si njerëz që, për interesa personale nuk njohin interesa shoqërore e kombëtare. Duke mos votuar tre ligjet, opozita i bllokoi shqiptarëve qindra milionë euro të Komisionit Evropian që Shqipëria do merrte së bashku me statusin, me të cilat do ndërtoheshin rrugë, shkolla si dhe do krijoheshin vende pune. Për muaj të tërë u përpoqën të mashtronin qytetarët se statusi nuk ka lidhje me votimin e tri ligjeve, por me kushte të tjera, aq sa bënë që çdo tre ditë zyrtarët e lartë evropian të dalin e t’i përgënjeshtrojnë ata. Opozita bën mirë të heqë dorë nga muri i bllokimit, sepse natyrisht, në qershor të 2013-ës, shqiptarët me votën e tyre do e rrëzojnë vetë atë”.
Opozita votoi kundër punësimit dhe mirëqenies së 800 mijë familjeve shqiptare
“Opozita nuk voton buxhetin më të madh në histori se sheh tmerrin e vërtetë të qershorit” Kështu e ka përkufizuar kryeministri Berisha mosvotimin e buxhetit të vitit 2013 në nisje të fjalës së tij në seancën e sotme plenare.
Ai tha se opozita po bën show tragjik dhe është opozita unike në botë që nuk votoi buxhetin, i cili më shumë se çdo buxhet tjetër shndërrohet në para të 800 mijë familjeve shqiptare.
“Opozita nuk votoi buxhetin, i cili shndërrohet në rrugë, shkolla, spitale për qytetarët. Nuk votoi buxhetin që kjo qeveri faktoi për arsimtarët, kthimin më të fuqishëm të rritjes ekonomike të mirëqenies. Opozita nuk votoi buxhetin që bëri të mundur ndërtimin e 10 mijë km rrugë, që rritën rrogat e mësuesve, ndërtimin e 1300 shkollave në mbarë vendin, furnizimin me ujë të pijshëm mbi 96% të shqiptarëve, u bazua mbi një bazë fiskale më të vogël se e juaja. U dyfishuan pensionet dhe ndihma ekonomike”- deklaroi Berisha.
Është kundërpërgjigjur kreu i grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruci, i cili e justifikoi mosvotimin nga opozita të projektbuxhetit 2013 me arsyetimin se nuk zbut varfërinë, por e shton atë. Sipas Ruçit ky buxhet rrit papunësinë, nuk ka politika të reja fiskale dhe shkatërron autonominë e vendorëve.
...