E Hënë, 2 Nëntor 2026

Qeveria vijon aksionin për lirimin e hapësirave publike, Rama: Më shumë gjelbërim, më shumë kënde komunitare për të gjithë

Qeveria shqiptare, në kuadër të vizionit “Rilindja Urbane 2.0”, ka intensifikuar aksionin për lirimin e hapësirave publike në të gjithë vendin. Ky aksion, i cili nisi në fillim të muajit korrik, synon të rikthejë trotuaret, sheshet dhe ambientet e tjera publike të zaptuara pa leje nga subjekte biznesi.

Kryeministri Edi Rama shpërndau sot pamje nga lirimi i hapësirave të zaptuara nga një gomisteri, duke theksuar se ky proces do të sjellë qytete më të pastra dhe më funksionale për komunitetin. Ai siguroi se ky aksion është një hap drejt një Shqipërie më europiane dhe më të gatshme për vitin 2030.

“Më shumë hapësira të lira e më pak ndotje në çdo komunitet si fillim dhe pastaj më tej, më shumë gjelbërim, më shumë kënde komunitare për të gjithë, më shumë aktivitet ekonomik i formalizuar dhe qytete më evropiane, më të pastra, më të bukura, më të gatshme për Shqipërinë 2030 në BE”, shkruan Rama.

Kryeministri njoftoi gjithashtu se po hartohet një Rregullore Kombëtare e re, e cila do të përcaktojë qartë me ligj hapësirat që mund të shfrytëzohen nga bizneset. Kjo rregullore do të ndihmojë në formalizimin e aktivitetit ekonomik dhe në rritjen e cilësisë së shërbimeve, duke garantuar standarde të larta në çdo cep të vendit, jo vetëm në zonat turistike.

Sipas qeverisë, lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm për të përmirësuar cilësinë e jetës në komunitet dhe do të mbetet në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›