E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria vijon rritjen e pagave dhe pensioneve ne 3 vitet e ardhshme

Qeveria shqiptare vazhdon të ndjekë politikën e rritjes së pagave dhe pensioneve për shtetasit shqiptarë. Masa e rritjes së këtyre pagesave është pasqyruar në planin ekonomiko-fiskal 2012-2014, miratuar nga Këshilli Ministror pak ditë më parë. Në këtë plan të qeverisë më tëfavorizuarit do të jenë sektoret e cilësuar si prioritarë, të cilët do të përfitojnë rritje me më shumë se 4 %. Përsa i përket pagave, në planin e qeverisë, thuhet se rritje do të ketë vetëm për sektoret prioritare të tillë si arsimi dhe shëndetësia, rritje e cila parashikohet të jetë rreth 7 %. Ndërkohë që për administratën do të ketë një indeksim sipas inflacionit, që vlerësohet të jetë një rritje maksimalisht në nivelet 4 % . Në dokumentin e qeverisë thuhet se edhe për pensionet rritja mesatare do të jetë mesatarisht 4% , më e lartë për pensionet në fshat dhe më e ulët për qytetin, duke synuar që të arrihet barazimi mes tyre dhe kjo rritje do të shihet edhe në krahun tjetër, që lidhet me kontributet, proces ky, i cili i është lënë për t’u zbatuar Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Gjithashtu ky plan i qeverisë parashikon që për vitin 2012 të ketë një shtim me 4% të fondit të ISSH-së nga derdhja e kontributeve, dhe rritje 14.8% në vitin 2014 , krahasuar me vitin 2011 . Përsa i përket shpenzimeve të ISSH-së, plani parashikon që do të ketë një rritje prej 4.2% përgjatë këtij viti, rritje kjo që do të vijë, si pasojë e shtimit të numrit të personave që do të dalin në pension. “Duke përfshirë rritjen e pensioneve dhe efektet mbetëse të rritjeve nga një vit në tjetrin, përsëri parashikohet që transfertat në buxhetet familjare nëpërmjet ISSH-së të cilat rrjedhin nga sistemi i pensioneve dhe trajtimeve të veçanta, të jenë në nivelin 6.5 për qind të PBB-së” thuhet në dokumentin qeveritar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›