E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk ka interes për të marrë me koncesion Rrugën e Kombit

Share

Qeveria mashtroi kur tha se do ishte një koncesion për mirëmbajtjen e rrugës. Në fakt kompania do bëjë ndërtimin e shumë pjesëve të rrugës. Edhe pse u ka kushtuar shqiptarëve mbi 1 miliard euro, rruga kërkon akoma shumë para për të përfunduar. Por firmat po hezitojnë për koncesionin e një rruge mbi të cilën kalojnë shumë makina vetëm dy muaj në vit

Tenderi për dhënien me koncesion të rrugës Durrës- Kukës është shtyrë edhe për një javë. Ndryshe nga sa kishin deklaruar zyrtarët e Ministrisë së Transporteve për një interes të madh, shtyrja e tenderit tregon të kundërtën. Subjektet e interesuara do kenë kohë deri më 27 shkurt për të dorëzuar dokumentet. Data e mëparshme ishte 15 shkurti.

Por siç raporton Shqiptarja.com, kushtet për të marrë këtë koncesion mund të kenë frikësuar kompanitë pasi nuk parashikohet vetëm mirëmbajtja, por edhe disa punime të tjera. Po kështu, duhet të ndërtojë dhe të vejë në funksionim një sistem pagese, për të mbledhur të ardhura nga automjetet.

Nga ana tjetër, kompania duhet të ndërtojë të gjithë sistemin e “gardhit” metalik gjatë gjithë autostradës, sistemin e ndriçimit në të gjitha mbikalimet, përmirësimin e tri lidhjeve në segmentin e rrugës nga Kukësi në kufi, ndërtimin nga e para të mbikalimit në Kalimash, dublimin e gjithë segmentit të rrugës nga Miloti deri në Rrëshen dhe ndërtimin e një ure apo një tuneli në Kukës, sipas zgjidhjes që do t’i japë ministria.

Ka shumë mundësi që kërkesa për të bërë investime të reja ka frenuar kompanitë e huaja, ndërkohë që edhe kërkesa për të vendosur “trarët” e pagesës së tarifës për kalimin në autostradë, që në Shqipëri bëhet për herë të parë, mund të ketë ngjallur ngurrime. Deri tani, asnjëherë nuk ishte thënë se firma konçensionare do të merrte përsipër edhe punime të pakryera ndërtimore, të tilla si vendosja e gardheve metalike në të gjithë gjatësinë e rrugës, si dhe përfundimin e urave të padubluara në segmentin nga Kukësi në kufi me Kosovën dhe ndërtimin e 26 kilometrave rrugë e re e dubluar nga Miloti në Rrëshen.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›