E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuzat për mafien, Braçe e Shalsi: Berisha ka lajthitur

Kryeministri Sali Berisha kërkon të justifikojë broçkullat. Ky është reagimi i deputetit socialist Eduard Shalsi pas deklaratës së Kryeministrit Berisha dy ditë më parë, se opozita ka tentuar të bashkëpunojë me mafien për të tronditur financat shqiptare. Ndërsa deputeti Erjon Braçe vlerëson se deklarata të tilla vijnë nga injoranca e Kryeministrit për fushën e financave shtetërore.

Duke analizuar pretendimet e Kryeministrit, Shalsi vërejti se nuk është hera e parë që Kryeministri lëshon të tilla shashka, të cilat, sipas tij, vijnë nga "injoranca ose për qëllime që ai i ka konsideruar limonada për zgjedhjet. Ose meqë zgjedhjet kanë mbaruar janë nga ato deklaratat që jemi mësuar të kenë qëllime politike. Mendoj se nuk duhet marrë seriozisht, madje ngre dyshimin për kapacitetin intelektual të Kryeministrit, i cili ka për detyrë që të qeverisë vendin dhe jo të çorientojë opinionin publik". Sipas tij, shprehjet e Kryeministrit turbullojnë edhe më elementarët në fushën e financave, ndërsa i kujton atij se partnerë të tij sot në politikë dhe në qeveri janë ata që janë akuzuar për krime e vrasje. "Është po ky Kryeministër që bën akuza për vrasje, afera korruptive, por sot ata janë partnerë të tij të qeverisë dhe politikës. Ndaj do të konsideroja se kjo është lajthitje, çka na bën seriozisht të mendojmë për shëndetin mendor të Kryeministrit", vijoi deputeti socialist. Ndërsa nga pikëpamja financiare, Shalsi tha se deklaratat e tij janë të papërgjegjshme për vendin, për të justifikuar broçkullat dhe marrëzitë që tha para ca kohësh për monedhën. "Pra kërkon që të justifikojë broçkullat me lajthitje. Deklarime të tilla delikate që më parë duhen analizuar dhe institucioni përgjegjës për të folur mbi situatën është vetëm Banka e Shqipërisë. Kemi edhe eksperiencën e firmave piramidale dhe ne e kemi vuajtur për shkak të injorancës së tij", tha Shalsi. Mjaft ashpër reagoi edhe deputeti Erion Braçe. "Një injorant që s‘kupton nga financat publike, nga financat e shtetit dhe që harxhon kohën se si të pasurojë Shkëlzenin, Argitën dhe Rahmanin. Herës tjetër, para se të artikulojë deklarata të tilla duhet të harxhojë më shumë kohë për të kuptuar se çfarë ndodh me kursin e monedhës", ishte vlerësimi i tij për deklaratat e Kryeministrit. Dy ditë më parë, Kryeministri Berisha hodhi akuza të forta kundër opozitës. Veç faktit që konfirmoi qëndrimin e mazhorancës për të mos hapur kutitë sipas Berishës: "Një pjesë e opozitës bashkëpunoi me mafien për të trazuar financat në kohën e krizës në tregun valutor". Por, Kryeministri nuk dha detaje për të sqaruar akuzën e tij, por ka vazhduar me sulmin ndaj Ramës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›