Zeneli, afër Thunit

Erfan Zeneli ka zgjuar interesimin e disa skuadrave evropiane pas një sezonin të shkëlqyeshëm me skuadrën e HJK Helsinkit, ku fitoi titullin e kampionit dhe Kupën e Finlandës.
Një nga klubet e interesuar që t’i sigurojë shërbimet e mesfushorit vushtrrias është edhe skuadra zvicerane FC Thun, ku luajnë edhe shqiptarët Milaim Rama, Muhamed Demiri dhe Mirson Volina.
24 vjeçari të hënën i është bashkuar ekipit nga elita e futbollit zviceran, ku do të qëndrojë deri në fund të kësaj jave. Trajneri Bernard Challandes ka preferuar ta shohë Zenelin edhe nga afër para se të vendosë për transferimin e tij.
“FC Thun e ka përcjell Erfanin që nga sezoni i kaluar. Menaxheri i ka ofruar që të shkojë në stërvitje me këtë ekip deri të shtunën, pasi trajneri ka pasur dëshirë që ta shohë nga afër”, ka thënë për Express Ridvan Zeneli, vëllai i Erfanit.
Sipas ish futbollistit të HJK Helsinkit, Erfani ka gjasat shumë të mira që të mbetet te Thuni. Nëse kjo ndodh, 24 vjeçari do të transferohet te klubi zviceran gjatë afatit kalimtar të dimrit, pasi kontrata me kampionin e Finlandës i skadon këtë muaj.
Ridvani gjithashtu ka bërë të ditur se përveç Thunit, interesim për vëllanë e tij të vogël kanë shprehur edhe disa skuadra tjera nga liga të ndryshime evropiane.
“Për Erfanin interesim kanë shprehur edhe ekipe nga Austria, Serie B dhe Bundesliga 2. Gjithashtu Helsinki i ka ofruar që të vazhdojë kontratën”, ka theksuar Zeneli.
Ish reprezentuesi U21 i Finlandës ka shkëlqyer këtë sezon me skuadrën e Helsinkit. Ai ka realizuar 8 gola në elitën e futbollit finlandez dhe 4 për Kupë, derisa ka dhuruar 13 asistime për bashkëlojtarët e vet.
Së fundi Erfani është ftuar në një kamp që organizohet nga përfaqësuesja e Finlandës, ku përfshihen futbollistët finlandezë që luajnë në shtetet skandinave.