E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qokat e politikës shqiptare

Nga Gjergji Mima

Zgjedhja e Presidentit të ri, kodi i rizgjedhor, reforma parlamentare janë vetëm disa nga provat që duhet të kalojë politika shqiptare së afërmi. Disa, por jo me kryesoret. Provimi më i rëndësishëm është ai që duhet të jepet përpara ndërkombëtarëve. Prova e bashkëpunimit. Sa reale do të jenë përpjekjet për konsensus? Deri ku do të shkoje politika shqiptare për të arritur konsensusin e shumëpritur dhe shumëkërkuar? A do të harrohen mëritë e vjetra? A mund të harrohen ato?

Ashtu siç ndodh gjithmonë me të gjithë njerëzit, pasi iu është tërhequr vëmendja se kështu nuk shkohet asgjëkundi, edhe politikanët shqiptarë njësoj si ata studentët që iu është tërhequr veshi nga profesori Fyle, nisën menjëherë konsultimet mes tyre. Konsultime në formë qokash, aspak institucionale, aspak transparente, konsultime nën rrogoz. Dikush shkon tek lokali i njërit, një tjetër tek vila e dikujt, dhe ca të tjerë akoma takohen gjoja rastësisht në hotelet kryesore të Tiranës, aty ku dhe vëmendja mediatike është më e madhe.

Po ku do të na çojë kjo politikë qokash e servilizmi? Drejt një zgjidhjeje të problemeve tona? Apo drejt një ngatërrese akoma dhe më të madhe? Kjo është ajo që kërkohet për të arritur bashkëpunimin. Në emër të bashkëpunimit a duhet shkelur mbi moralin politik (morali një fjalë e huaj për politikanët shqiptarë). A duhet shkelur mbi fjalët e hedhura, mbi fyerjet, sharjet, ofendimet. Nëse një ditë do të të duhet të hash në tavolinën e dikujt, sepse kështu e ka politika, atëherë nuk duhet të pështysh më parë mbi pjatën ku do të hash.

Të paktën a dhanë rezultat këto takime apo janë thjesht sinjale që i dërgohen palës tjetër për të treguar që ne nuk po flemë, jemi aktivë, gati për të bashkëpunuar, gati për të mashtruar, gati për të luajtur nën rrogoz? Askush nuk mund ta thotë këtë gjë me siguri. Asgjë nuk ka dalë në dritë deri tani nga këto takime. Prononcimet e rastit të politikanëve shqiptarë duket se thjesht zgjasin pritjen. Ndoshta se asgjë ende nuk është arritur në këto takime. Ndoshta sepse është arritur gjithçka, por ende nuk duhet të shprehet, të paktën jo tani, jo kaq herët, jo pikërisht tani përpara zgjedhjes së Atij, kreut të shtetit. Ndoshta sepse ka filluar të lëvizë makineria tashmë e njohur e politikës shqiptare, e cila kur loja bëhet e fortë, fillon të prodhojë gjithnjë më tepër skenarë të turpshëm, aspak prej politikanësh xhentëlmenë por që gjithsesi në fund të fundit është politikë. E habitshme sesi sa herë janë në vështirësi, ose kur janë gati duke bërë ndonjë poshtërsi, politikanët shqiptarë nxjerrin në treg fjalë të tilla si në emër të bashkëpunimit, e bëjmë për qytetarët, e bëjmë për të mirën e vendit. Po për vete nuk mendojnë fare ata?

Kjo në fakt është një politikë e errët, të cilën politikanët shqiptarë dinë ta luajnë për fat të keq më mirë sesa politikën e përditshme, aty ku duhet të japin në fakt më të mirën e tyre. Atë që prek shqetësimet dhe hallet e qytetareve. Atyre qytetarëve që në fakt i mban gjallëpolitikisht, ata politikanë, të cilët për momentin duket se po merren me gjëra shumë më të rëndësishme sesa çmimet e rritura, kriza ekonomike, skandalet në arsim e shëndetësi, trajtimet e turpshme të shqiptarëve jashtë kufijve. Po merren me gjëra më të rëndësishme. Ata po merren me ndarjen e pushtetit. Kush do ta marrë Presidentin? Kush do ta fitojë Kryeprokurorin e ri. Kujt do ti spiunojë kreu i ri i SHISH? Kjo iu intereson për momentin politikanëve shqiptarë, që për një kohë të gjatë tashmë kanë lënë pas Shqipërinë, popullin shqiptar dhe jo vetëm atë brenda Shqipërisë.

Palë në këtë maskaradë janë bërë të gjithë politikanët kryesorë në vend. Kush me hir dhe kush me pahir po përpiqen të masin forcat dhe të shohin se çfarë mund të përfitojë për vete, për partinë politike, por sigurisht po të pyesësh ata, edhe për qytetarët shqiptarë, të paktën për ata që i votojnë besnikërisht çdo dy vjet.

Palë në këto qoka janë bërë edhe ata politikanë që deklaronin se kurrë ndonjëherë sdo të bënin kompromis me korrupsionin, krimin, që sigurisht përfaqësohej denjësisht nga pala tjetër. Që kurrë sdo të drekonin në shtëpinë e kriminelëve, në ato vila ku është bërë sipas tyre korrupsion. Me këtë dialektikë tërhoqën madje pas vetes shumë e shumë qytetarë njerëz të thjeshtë, mjeranë të verbuar nga fjalët e liderit.

Por në fakt koha tregoi se fshin gjithçka. Fjalët që i merr era po se po, por mesa duket në Shqipëri, aq paturpësisht siç nuk ndodh askund tjetër, të paktën në Evropën ku aspirojmë të bëjmë pjesë, fshin edhe gjakun e njerëzve. Për hir të politikës harrohen të gjitha. Në emër të bashkëpunimit harrohen sharjet, fyerjet, ofendimet, vdekjet.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›