E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pirlo: Faleminderit Alegri që më largove!

Andrea Pirlo ka qenë protagonist i një interviste interesante të lëshuar për Gazzetta Dello Sport. Organizatori ka qenë protagonist absolut i fitores së titullit kampion nga skuadra e Juventus, ndërsa për herë të parë ka treguar arsyet reale të largimit të tij nga Milani. Gjatë kësaj interviste ai lëshon një sërë kunjash ndaj ish-trajnerit të tij tek Milan, Masimiliano Alegri, që ishte edhe njeriu që e largoi Pirlon nga Milan. Edhe pse tani Alegri po ha thonjtë nga gafa që ka bërë. Ndoshta gafa e tij më e madhe.
Intervista
Kur u ulëm të flitnim për rinovimin, më propozuan një kontratë njëvjeçare, ndërsa unë kërkoja një kontratë për tre vjet meqë isha më i ri se futbollistët e tjerë të cilëve u përfundonte kontrata. Por arsyeja e vërtetë e largimit tim ishte një tjetër: Alegri dëshironte të vendoste para mbrojtjes Van Bomel ose Ambrosinin dhe unë do të detyrohesha të ndryshoja rol. Atëherë u thashë jo faleminderit dhe zgjodha Juventusin që më ofronte motivime të rëndësishme, deklaroi Pirlo gjatë intervistës. Dua ta përsëris që nuk ka qenë një zgjedhje ekonomike. Milani vendosi që nuk i shërbeja më. E kuptova menjëherë gjatë asaj mbledhje. Alegri preferonte lojtarë të tjerë në rolin tim. A janë penduar që nuk më mbajtën? Nuk e di. Por gjatë sezonit shumë ish-shokë të skuadrës më kanë thënë që e ndjenin mungesën time. Unë për vete jam i lumtur, pas kam fituar, vuri në dukje mesfushori bardhezi.
Elozhet për Konten
Më pas Pirlo ka folur edhe për Antonio Konte, duke e cilësuar atë një trajner të madh, edhe më të mirë se Ançeloti dhe Lipi, dy trajnerë me të cilët ka fituar gjithçka në karrierën e tij. Ai është një trajner i shkëlqyer, mua më kanë drejtuar shumë trajnerë, por asnjë kaq i kujdesshëm në punë dhe i aftë për të shpjeguar gjërat. Nga ana taktike dhe didaktike është edhe më i mirë se Ançeloti dhe Lipi, të cilët kanë shumë cilësi. Përgatit në mënyrë të shkëlqyer ndeshjet, studiojmë kundërshtarët 3-4 herë në javë dhe kur zbresim në fushë, vështirë se ka ndonjë gjë që na çudit prej tyre. Konte është një talent i pankinës, tregoi mesfushori i Juventusit.

Blater uron Juven
Komplimente për titullin e 28-të, pas 9 vitesh jeni përsëri më të mirët në Serie A. Këto janë fjalët që presidenti i FIFA-s, Sep Blater, i ka shkruar në letrën e urimit dërguar Juventusit dhe bërë publike nga agjencia Ansa. Është kënaqësi e madhe që tju përgëzoj për fitoren e titullit të 28-të Kampion i Italisë. Të dielën e kaluar, pas një paraqite të madhe, skuadra e rekordeve e Juventusit ka arritur të sigurojë titullin e 28-të kampion. Një rezultat i madh që me të drejtë ka ngjallur menjëherë gëzim dhe eufori. Kjo pasi pas 9 vitesh, Juventusi ka fituar përsëri titullin e skuadrës më të mirë italiane të Serie A, shkruhet në letrën e presidentit të FIFA-s.

Luis Suarez pranë Juventusit
Në këtë periudhë qarkullojnë shumë emra për të kuptuar si dhe çfarë kërkon Juventusi për sulmin, duke parë që do të investohen shumë para: bardhezinjtë kërkojnë një superlojtar, një qershi mbi tortë, quajeni si të dëshironi. Ne po e quajmë një ‘bomber’: i fundit, në rend kohor dhe jo sigurisht në preferencë, që ka hyrë në listën e drejtuesve Marrota dhe Paratici mban emrin e uruguajanit Luis Suarez, sulmuesi i datëlindjes 1987 që luan për Liverpulin. Një kampion që është ndjekur, disi edhe rastësisht Të dërguarit e Juventusit që dy ditë më parë kanë qenë të pranishëm në Anfield Road për të parë ndeshjen Liverpul-Chelsi, në fakt, kanë qenë aty për objektiva të tjerë: sytë ishin orientuar për serbin Branislav Ivanoviç për mbrojtjen dhe portugezin Raul Meireles për mesfushën, por vëmendja është spostuar brenda pak minutave tek lojtari me numër 7 i Liverpulit. Suarez nuk shënon, por është në pjesën më të madhe të aksioneve të rrezikshme të skuadrës së Keni Dagllish, duke rezultuar pa asnjë diskutim njeriu i ndeshjes: mund të pyetet edhe Xhon Terri, sigurisht që ka luajtur, duke parë që nuk do të jetë në finalen e Champions Ligës, është një pyetje e bezdisshme, sepse uruguajani ka arritur ta kalojë qendërmbrojtësin e Chelsit disa herë me tunele spektakolare që do të kishin mahnitur çdo tifoz të këtij sporti. Por nuk janë vetëm golat dhe asistet ato që kanë bindur drejtuesit e lartë bardhezinj. Përshpejtimi i ritmit, lëvizjet e shpejta dhe grinta e madhe janë disa prej karakteristikave kryesore të uruguajanit, që këtyre i duhet shtuar edhe një shifër e mirë, por jo e ekzagjeruar e golave të shënuar: 23 në 46 ndeshje nga momenti që ka zbarkuar në Angli. Numra sigurisht jo prej goleadori, mbi të gjitha nëse përballen me ato që ka pasur tek Ajaksi në katër sezonet e mëparshme, kur ka shënuar 111 gola në 159 ndeshje. Pyetja e vërtetë, që kërkojnë të bëjnë edhe drejtuesit e Juventusit në këtë moment, është pikërisht kjo: Suarez mund të merret? Përgjigja është e diskutueshme: disa muaj më parë, në fakt, uruguajani kishte menduar shumë seriozisht për t’u larguar nga Liverpuli, pasi shoqëria dhe tifozët ishin distancuar nga ai në momentin më të vështirë, në momentin pas pezullimit tetë javor për ofendimet raciste ndaj Patris Evra të Manchester Junaitid. Prej disa javësh në këto anë, ndërkohë gjërat duket se janë sistemuar: Suarez është kthyer të jetë plotësisht stabël në formacionin kryesor dhe të gjithë e adhurojnë për cilësitë e tija të shkëlqyera dhe për dashurinë që ka treguar ndaj tifozëve.

Saimir Ujkani rikthehet palermitan
Palermo-Novara-Palermo. Është kjo rruga që duhet të bëjë Samir Ujkani. Portieri i Kombëtares shqiptare, krejt ndryshe nga Novara e tij që u rikthye ekspres në Serinë B, bëri një sezon të mrekullueshëm. Me kampionatin italian që do të luajë javën e fundit në fundjavë, merkatoja e futbollistëve nis dhe ndez motorët. Sesioni i ardhshëm veror i transferimeve në aksin Palermo-Novara ka disa operacione për të kryer. Skenari është “skicuar” plotësisht. Pikërisht një i tillë është dhe ai Samir Ujkanit, i blerë nga Palermo në vitin 2007, kur kosovari ishte vetëm 17 vjeç, por nga viti 2009 u huazua te Novara për të marrë eksperiencë. Në fakt, gjithçka lidhet me të ardhmen e portierit aktual të Palermos, Viviano. nëse largohet numri 1 i Interit, Hulio Sezar, atëherë Viviano është kandidati kryesor për të marrë në dorëzim shtyllat në “Meaca”. Viviano, i cili është në bashkëpronësi të Interit dhe Palermos, bëri një sezon shumë të mirë, duke hapur edhe dritaren e pjesëmarrjes në finalet e Europianit 2012.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›