Qorrsokaku grek
Për atë se si është gjendja në pjesën më jugore të Bashkimit Evropian më së miri flasin rezultatet e anketimit të opinionit publik, të kryer në mesin e shtetasve grekë. 87 përqind e tyre kanë frikë për të ardhmen personale, përderisa 82 përqind konsiderojnë se shteti po lëvizë në drejtim të gabuar, njoftoi ditë më parë gazeta greke ‘Kathimerini’.
Dhe vërtet, grekët edhe më tej mbeten të pafuqishëm para situatës dramatike në të cilën është gjendur shteti i tyre. Mirëpo, edhe më të pafuqishëm janë politikanët grekë të cilët, të shtrydhur ndërmjet zemërimit të popullatës dhe presioneve nga Evropa, ende po mundohen të gjejnë dalje nga katastrofa drejt së cilës po shkon shteti.
Beteja titanike
Megjithatë, një zgjidhje e cila do të shpinte drejt daljes nga kriza nuk duket askund në horizont. Ministri grek i Financave, Evangelos Venizelos, fundjavën e kaluar ka bërë të ditur se bruto prodhimi vendor i Greqisë këtë vit do të ulet për mbi pesë përqind. Greqia dhe BE’ja deri më tani llogarisnin që kjo rënie do të ishte 3.8 përqind.
Si të realizohen pra synimet e guximshme që BE’ja dhe FMN’ja i kanë vendosur si kushte për një ndihmë të vazhdueshme financiare, përkundër të ardhurave në rënie? Gjatë nj takimi në Selanik, kryeministri grek, Giorgios Papandreou, ka paralajmëruar një “betejë titanike” kundër rrezikut të falimentimit të vendit.
"Greqia do të realizojë reformat e nevojshme, dhe atë me çdo kusht”, theksoi Papandreou.
Njëri prej qëllimeve të përhapjes së optimizmit, sipas të cilit “Greqia do t’i
bëjë detyrat e saj të shtëpisë”, ka karakter psikologjik, sqaroi ministri Venizelos. E në fakt, nga frika e një kolapsi të mundshëm të sistemit financiar të vendit, edhe vetë grekët po i tërheqin paratë e tyre nga bankat dhe nuk po i investojnë askund, por po i mbajnë në shtëpi.
"Neve tani na duhet një kërcim përpara. Ky duhet të jetë synimi jonë kombëtar”, thotë Venizelos.
"Greqia do t’i përmbushë premtimet e veta”, shton shefi i Kabinetit të Papandreou, duke iu përgjigjur kështu dyshimeve të vazhdueshme të disa partnerëve evropianë lidhur me aftësitë e Greqisë për zgjidhjen e këtij problemi.
Skenarët në rast falimentimi
Në krye të atyre që iu kanë hedhur në qafë grekëve, edhe kësaj radhe janë gjermanët. Para së gjithash, ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble.
"Greqia duhet t’i përmbushë premtimet e saj”, thekson Schäuble, dhe shton:
"Për aq kohë sa Greqia nuk do t’i përmbushë premtimet e saj, nuk do të ketë as pagesa të reja të ndihmave”.
Deklaratat e tilla sigurisht që nuk do të qetësojnë një pjesë të mediave greke, të cilat ka kohë që po bëjnë ‘një luftë’ të hapur kundër politikanëve gjermanë.
Megjithatë, ministri Venizelos iu ka bërë thirrje bashkëkombësve të vetë që më në fund të fillojnë me vlerësimin e ndihmave që po vijnë nga xhepat e taksapaguesve evropianë.
"Greqia po merr një shumë të paparë deri më tani prej 219 miliardë eurosh, prandaj është koha që kjo ndihmë të fillojë të vlerësohet, sepse këto janë para që i mbledhin taksapaguesit e shteteve të Bashkimit Evropian”, theksoi Venizelos.
Prandaj edhe është e rëndësishme, siç tha, që shtetasit e Greqisë edhe vetë të bëjnë përpjekje shtesë, ashtu që vendi të dalë nga kriza.
Mirëpo, demonstruesit që po përlesheshin me policinë, para sallës ku po mbahej takimi në Selanik, tregojnë se kjo porosi ende nuk kishte depërtuar deri tek të gjitha shtresat e shoqërisë greke.
Ndërkohë, kancelaria gjermane, Angela Merkel, ka marrë në mbroje Greqinë, dhe në një bashkëbisedim me gazetën e Berlinit ‘Tagesspiegel’, ka sqaruar se për shpëtimin e Greqisë nga falimentimi gjëja më e rëndësishme është durimi.
"Nuk mund të zgjidhen brenda natës problemet që janë grumbulluar me vite të tëra”, përfundoi Merkel.
Por, sipas portali Spiegel Online, duket se optimizmin dhe durimin e Merkel qartazi që nuk e ndajnë edhe zyrtarët e Ministrisë gjermane të Financave, ngase këta të fundit po përgatiten me të madhe për të gjithë skenarët e mundshëm në rast se Greqia falimenton. Sipas njëri prej tyre, Greqia do të mbetej brenda Eurozonës, e sipas një tjetri Grqia sërish do ta kthente ish-valutën e saj - Drahma. E kjo është pikërisht ajo që politikanët grekë po synojnë ta parandalojnë, me çdo kusht. DW