Qosja: Mos e prekni himnin kombëtar

Qosja në një intervistë telefonike për gazetën Shqiptarja.com ka thënë se himni nuk duhet të ndryshohet.
“Jo, them se jo. Nuk bëhen këto ndërhyrje në himnin kombëtar. Ai është krijuar atëherë kur është krijuar. Ka një emër, ka një autor, ka një traditë, s’mundet... Unë nuk e përfill një propozim të tillë”, ka thënë Qosja në këtë intervistë.
Sipas akademikut kosovarë në këtë rast shkelet edhe e drejta e autorit, por edhe mund të cenohet aspekti historik i himnit kombëtarë.
“Si dokument historik kemi të bëjmë me një ndërrim të autenticitetit, origjinalitetit, vlerës. Atëkohë është menduar ashtu. Pse burrë? Kanë luftuar burrat, nuk kanë luftuar gratë. Ka edhe raste të veçuara që kanë luftuar gratë, si në rastin kur partizanët i futën në radhët e luftës edhe gratë, pak a shumë. Por jo, s’ka qenë traditë për shqiptarin. Nuk mund ta ndërrojmë të kaluarën. Ka qenë e këtillë. Nuk më duket propozim i arsyeshëm”, ka thënë Qosja.